Pesë kërcënime të ndryshme për vendosjen e bombave kanë alarmuar autoritetet në disa aeroporte europiane, duke përfshirë pesë fluturime me pasagjerë në bord. Një prej alarmeve u regjistrua mbrëmjen e djeshme, ndërsa katër të tjerat gjatë ditës së sotme.

Të gjithë avionët u ulën në siguri dhe kontrollet nuk zbuluan asnjë mjet shpërthyes në bord. Për këtë arsye, dyshohet se bëhet fjalë për alarme të rreme. Megjithatë, autoritetet kanë nisur verifikimet, duke e cilësuar ngjarjen si një situatë “shumë të pazakontë”.

Avioni i parë ishte nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës dhe kishte si destinacion Varshavën. Për shkak të kërcënimit, ai u devijua drejt aeroportit Modlin të Varshavës. Në bord ndodheshin 181 persona.

Reklamë

Një tjetër avion, i nisur nga Kopenhaga, u ul normalisht në Varshavë, pavarësisht alarmit të ngjashëm.

Një tjetër rast përfshiu një avion të kompanisë Ryanair, i nisur nga Mançesteri, i cili u detyrua të kryente një ulje emergjente në Murcia të Spanjës. Në bord ndodheshin 121 persona, përfshirë ekuipazhin. Pas uljes, autoritetet spanjolle aktivizuan protokollet e sigurisë, mobilizuan zjarrfikësit dhe kryen kontrolle në avion, pasi të gjithë pasagjerët ishin evakuuar.

Edhe në këtë rast, nuk u gjet asgjë e dyshimtë.

Alarmi i katërt përfshiu një avion të nisur nga Izraeli, i cili u devijua drejt Sofjes në Bullgari. Atje ndërhynë edhe ekipet kundër terrorizmit.

Ndërkohë, një tjetër alarm ishte regjistruar mbrëmjen e djeshme për një fluturim të Wizz Air, i nisur nga Londra Luton dhe me destinacion Sofjen. Për shkak të kërcënimit, avioni u detyrua të ulej në Budapest, i shoqëruar nga një avion luftarak hungarez.

Reklamë

Kontrollet nuk zbuluan asgjë të dyshimtë dhe avioni rifilloi fluturimin drejt Sofjes pak më vonë.

Ndërkohë, sipas raportimeve të disa mediave, edhe në aeroportin e Fiumicinos, në Romë, janë kontrolluar dy avionë të Ryanair, të ardhur nga Lisbona dhe Dublini, pas kërcënimeve për bombë që rezultuan të rreme.