Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump të vizitojë Kievin, në një video-mesazh me rastin e përvjetorit të katërt të pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, dhe ka thënë se Ukraina nuk do ta tradhtojë popullin e saj në asnjë negociatë me Rusinë.
Zelensky tha se Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij fillestare të luftës dhe nuk e ka “thyer popullin ukrainas”. “Ai nuk e ka fituar këtë luftë,” tha ai. “Ne e kemi ruajtur Ukrainën dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur paqen. Dhe për të siguruar drejtësi.”
Fjalimi 18-minutësh përfshinte pamje të publikuara për herë të parë nga bunkeri nëntokësor në rrugën Bankova në Kiev, ku Zelenskyy dhe këshilltarët e tij punuan dhe fjetën gjatë orëve të para pas sulmit rus në vitin 2022.
Zelenskyy kujtoi se kishte marrë një telefonatë nga ish presidenti Joe Biden, i cili i kishte ofruar ndihmë për t’u larguar “urgjentisht” nga vendi. “Unë iu përgjigja se kam nevojë për municion, jo për transport,” tha Zelenskyy, duke rikujtuar një nga momentet më të famshme të presidencës së tij.
Videoja tregonte Zelenskyn duke vendosur trëndafila në një memorial në Sheshin Maidan në Kiev, në nderim të mijëra ushtarakëve ukrainas që kanë humbur jetën gjatë katër viteve të fundit. Kishte gjithashtu pamje të liderëve botërorë që vizitonin Kievin, përfshirë Keir Starmer dhe Boris Johnson. /Reporteri.net/