Vendet e huaja dhe kompanitë që duan të blejnë dronë ukrainas nuk duhet të kenë mundësi të anashkalojnë qeverinë ukrainase duke biseduar drejtpërdrejt me prodhuesit. Kështu ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelensky në një deklaratë të publikuar të dielën.
Zelensky tha se nevojitet një sistem i ri për ta parandaluar këtë, dhe se qeveria e tij tashmë kishte qortuar një prodhues për shitjen e interceptorëve pa marrë parasysh pasojat për mbrojtjen e Ukrainës.
Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka nxitur interes të ri për interceptorët ukrainas, me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme që kërkojnë mënyra për të kundërshtuar sulmet me dronë të Iranit.
Zelensky tha se Ukraina po pret nga Uashingtoni dhe Moska për raundin e ardhshëm të bisedimeve trilaterale të paqes. Presidenti ukrainas u tha gazetarëve se SHBA-të kishin propozuar të organizonin një takim, por Rusia refuzoi të dërgonte delegacion.
“Ne po presim një përgjigje nga amerikanët,” shtoi Zelensky, citon The Guardian.
Zelensky duket se kundërshtoi pretendimin e Donald Trump-it se SHBA-të nuk kishin nevojë për ndihmën e Ukrainës në mbrojtjen kundër dronëve. Ai u shpreh se SHBA-të i ishin drejtuar Ukrainës “disa herë” për ndihmë për një vend të caktuar, ose për mbështetje për amerikanët.
“Të gjitha institucionet tona i morën këto kërkesa, dhe ne iu përgjigjëm,” tha Zelensky në një konferencë, pa dhënë hollësi.
Ditën e djeshme, presidenti amerikan Donald Trump tha se NATO po përballet me një të ardhme “shumë të keqe” nëse aleatët e SHBA-ve nuk ndihmojnë në hapjen e ngushticës së Hormuzit, korridori kritik i transportit të naftës që është mbyllur efektivisht nga Irani në luftën e Lindjes së Mesme. Në një intervistë të shkurtër për Financial Times, Trump tha se, ashtu siç SHBA-të e kanë ndihmuar Ukrainën në luftën me Rusinë, ai pret që Evropa të ndihmojë në ngushticën e Hormuzit, mbyllja e së cilës ka rritur çmimet e energjisë në mbarë botën.
“Nëse nuk ka përgjigje ose nëse është përgjigje negative, mendoj se do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s,” tha Trump, i cili ndër vite ka kritikuar aleancën si përfitues të bujarisë amerikane.