Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruare se 200 ekspertë ukrainas të mbrojtjes ajrore ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme, ku po ndihmojnë për të neutralizuar sulmet me dronë iranianë, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Duke folur në Parlamentin Britanik si pjesë e vizitës së tij të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, Zelensky tha se dronët, veçanërisht dronët e lirë sulmues, e kanë ndryshuar plotësisht luftën moderne.
Presidenti ukrainas dha një shembull të këtij ndryshimi, duke thënë se ndërsa çdo dron iranian kushton rreth 50,000 dollarë amerikanë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre aktualisht po përdorin raketa me vlerë rreth 4 milionë dollarë amerikanë për t’i rrëzuar ato.
Ukraina ka qenë vazhdimisht nën sulme të kombinuara me dronë dhe raketa pasi Rusia rriti prodhimin e dronëve Shahed të projektuar nga Irani në fillim të vitit të kaluar.
Përballë mungesës së sistemeve tradicionale të mbrojtjes ajrore të furnizuara nga Perëndimi, Kievi u detyrua të improvizojë dhe zhvilloi një sistem mbrojtjeje të shtresëzuar që përfshin mjete të luftës elektronike, helikopterë dhe avionë transporti të përshtatur që ndjekin dronët nga ajri, si dhe trupa në tokë që i rrëzojnë ato me mitralozë të rëndë dhe raketa tokë-ajër./Reporteri.net