×
  • Lajme
  • Lajme

    Chollet dhe Escobar i presin të martën liderët e opozitës në takim në Ambasadën Amerikane në Prishtinë

    Reporteri
    08 Dhjetor 2022 | 16:11

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën në mëngjes takojnë përnjëherë liderët e opozitës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Takimi do të zhvillohet në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    I pranishëm në këtë “mëngjes pune” parashihet të jetë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, si nikoqir i takimit të Chollet e Escobar me Memlin Krasniqin e PDK’së, Lumir Abdixhikun e LDK’së dhe Ramush Haradinajn e AAK’së.

    Derek Chollet dhe Gabriel Escobar në Prishtinë pritet të aterojnë të hënën pasdite, derisa vizita e tyre zyrtare shënohet të martën. Përveç me opozitën, dyshja amerikane pritet të zhvillojnë takime edhe me krerët shtetëror, ndonëse agjenda për këto takime mbetet ende e pakonfirmuar.

    Vizita e tyre zhvillohet në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat e Kosovës me shumicë serbe.

    DASH ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht datat e vizitës së tyre në Kosovë. Ndonëse, për Escobar’in thonë se “udhëton shpesh në rajon dhe do të jetë aty për konsultime të rregullta”.

    Gabriel Escobar takime të ngjashme pune me krerët e opozitës ka zhvilluar edhe në tre herët e tjera kur ka vizituar Kosovën, gjatë këtij viti.

    Ndërsa për Chollet është hera e parë që si zyrtarë i DASH’it vjen në Prishtinë. Ardhja e tij në Kosovë vjen pak muaj pasi ai kishte shprehur zhgënjimin e tij me Qeverinë e Kosovës lidhur me çështjen e targave.

    Para delegacionit amerikan, në Prishtinë ka qëndruar të martën emisari i BE’së, Mirosllav Lajçak, i cili palës kosovare i prezantoi versionin e ri të “planit franko-gjerman” për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Paraprakisht, sllovaku qëndroi edhe në Beograd. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!