×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Çka është Dialogu Strategjik që SHBA e pezulloi me Kosovën?

    Reporteri
    12 Shtator 2025 | 14:38

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se kanë pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Pezullimi është bërë për një kohë të pacaktuar.

    Njoftimi është publikuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Ambasada Amerikane thotë se vendimi u mor për shkak shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

    Ambasada thotë se veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.

    Çka është Dialogu Strategjik?

    Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, gjatë një vizite që kishte bërë në Kosovë në fillim të vitit, kishte paralajmëruar se dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës do të finalizohej së shpejti. Ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  ajo e cila pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë.

    Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

    Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

    SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

    SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!