×
  • Lajme
  • Lajme

    Daçiç “nuk beson” të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi: “Për sa kohë Kurti është aty, jo”

    Reporteri
    09 Dhjetor 2022 | 10:31
    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç

    Përkundër se disa herë ishte “zëdhënësi” i refuzimit të planit franko-gjerman, kryediplomati serb, Ivica Daçiç, tha se Serbia nuk e ka refuzuar atë. Duke folur për BBC-në në edicionin serb, ai tha se “as nuk e kemi pranuar as refuzuar”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Daçiç tha se kanë artikuluar “vetëm çfarë është e pranueshme e çfarë jo” derisa shtoi se do të vazhdojnë diskutimit për planin, tashmë edhe të përditësuar nga Bashkimi Evropian.

    Por, sipas tij, Serbia i ka vijat e kuqe në lidhje me planin e hartuar nga BE, të mbështetur nga ShBA, Gjermani e Franca.

    “Nuk mund të flasim për marrëveshje të reja pa i respektuar ato të nënshkruar më herët, siç është Asociacioni i Komunave Serbe. E papranueshme është që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, derisa vija e tretë e kuqe është siguria fizike e serbëve në Kosovë”, ka thënë Ivica Daçiç.

    Më tej, Daçiç përsëriti mantrën e tij të zakonshme se për sa kohë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në pushtet “do të ketë vetëm shuarje zjarresh” e jo trajtim të përgjithshëm të dokumentit për normalizim të marrëdhënieve, shkruan Reporteri.net.

    “Jam i sigurt se për sa kohë Kurti është në atë pozitë, negociatorët nuk do të merren me dokumentin e përgjithshëm por me shuarje zjarresh”.

    “Dhe do të ishte mirë që të shuhet zjarri më i madh, sepse zjarrvënësi më i madh është Kurti”, ka thënë Daçiç.

    Fushata e Daçiçit kundër Kosovës

    Nga 193 vende të Kombeve të Bashkuara, Kosova mund të llogarisë vetëm në 83 prej tyre, përsëriti Daçiç bindjen e tij, tashmë të pothuajse çdohershme.

    Por, siç pretendon ai, jo të gjitha vendet që s’do të vinin Kosovën ia kanë tërhequr njohjen. “Egjipti ose Hungaria e kanë njohur Kosovën, por nuk votojnë për Kosovën në forume ndërkombëtare, anipse nuk e kanë tërhequr njohjen”.

    “Nëse Prishtina vazhdon me politikën e aplikimit në organizata ndërkombëtare, ne do të detyrohemi të mirremi me atë punë”, ka thënë Daçiç./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!