Merimanga e të gjitha pushteteve serbe që nga koha kur ishte zëdhënës i Slobodan Millosheviçit, Ivica Daçiç, u bëri thirrje të gjitha formacioneve politike serbe të dalin në mbështetje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, një ditë para takimit në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton “Reporteri.net”.
Madje Daçiç për t’i dhënë ton thirrjes së tij “përbashkuese ndaj Vuçiç-it” tha se “në këto kohë po mirren praktikisht vendime në mes të luftës ose paqes në Kosovë”.
Politikani prej më jetëgjatëve në pushtet në Serbi, thotë se është i sigurtë që Vuçiç “do të ruajë paqen dhe interesat kombëtar të Serbisë në takimin e rradhës në Bruksel”.
“Në të njëjtën kohë, i bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që të tregojnë qartë se Prishtina nuk respekton asnjë marrëveshje të Brukselit, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit, duke refuzuar të formojë Asociacionin dhe me lëvizjet e njëanshme të saj të rrezikojë seriozisht paqen”, tha ai, raportoi “Tanjug”, përcjell “Reporteri.net”.
Daçiç në zgjedhjet e fundit garoi për kryeministër të Serbisë, të cilat zgjedhje nuk i rezultuan sipas pritjeve të tij, por që megjithatë, përflitet se Vuçiç do t’ia jep postin e ministrit ose të jashtëm ose të mbrojtjes.
“Kosova gjithmonë pjesë e Serbisë. Jo anëtarësimin në NATO. Jo vendosje sanksioneve ndaj Rusisë”, ishin tri parullat lajtmotiv të tij në garën zgjedhore parlamentare të prillit të këtij viti.
Daçiç konsiderohet si një nga lojtarët më pro-rus në politikën serbe, e cila edhe thuhet të jetë arsyeja kryesore e jetëgjatësisë së tij në skenën politike, si dhe SPS-ja e tij ka lidhjet më të mëdha me Gazprom-in rus.