×
  • Lajme
  • Lajme / "Ofendim për shtetet demokratike"

    Deklarata e Hill, Osmani: Serbia as që mund të ëndërrojë t’i bashkohet NATO-s

    Reporteri
    20 Mars 2024 | 11:13

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka komentuar deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, i cili mbrëmë tha se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova.

    Presidentja Osmani, e pyetur sot për këtë deklaratë, ka thënë se një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat qendrore mbi të cilat qëndron NATO-ja, lëre që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë që një ditë të jetë pjesë e aleancës veriatlantike, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Osmani tha se kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO-s, por njëkohësisht është duke i ofenduar, siç tha Osmani edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave.

    “Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia, e ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat qendrore mbi të cilat qëndron NATO-ja,  pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet të cilat shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë që një ditë të jetë pjesë e NATO-s.

    Serbia vet, pikërisht për shkak se është anti-vlerave të NATO-s nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet ndonjëherë në NATO. Pra, është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO sepse është kundër vlerave të NATO-s. E treta, Serbia është një shtet i cili para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, vazhdimisht tenton ta shkatërrojë Bosnjë e Hercegovinën përbrenda dhe të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi. Kjo nënkupton që ky është një shtet njësoj si Rusia, që leje që shkelë parimet dhe vlerat e fqinjësisë së mirë, por edhe ndërmerr veprime të dhunshme duke i konsideruar shtetet përreth si shtete të përkohshme e jo shtete të përhershme që në fakt jemi. Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluar e saj gjenocidale, shtet që ka kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit dhe ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Më lejoni ta them troç, kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO-s, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha Presidentja Osmani para mediave.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, mbrëmë për Radio Televizionin e Serbisë,  tha se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova.

    “Nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Për momentin, po. Kjo është shumë e vërtetë tani. Ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, trajnime, një numër gjërat me ushtrinë serbe. Tani ne punojmë së bashku shumë më tepër”, tha Hill për RTS.

    Hill pretendon se Serbia është më pranë anëtarësimit në NATO sesa Kosova

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!