×
  • Lajme
  • Lajme

    Dëmtohen varrezat serbe në Kishnicë, Policia angazhon hetues të specializuar  

    Reporteri
    27 Dhjetor 2021 | 11:43

    Dje me datë 26.12.2021, në orën 15:10, në Policinë e Kosovës, konkretisht në Stacionin policor në Graçanicë një person ka raportuar se të njëjtën ditë rreth orës 15:00, e njëjta kishte vizituar varrezat e të afërmve të saj në fshatin Kishnicë dhe kur kishte arritur tek varrezat e njëjta ka konstatuar se disa varreza ishin të dëmtuara.

    Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media thotë se menjëherë pas pranimit të informatës dhe raportimit të rastit, i është përgjigjur rastit.

    “Përveç hetuesve të stacionit policor në Graçanicë ka angazhuar edhe hetues të specializuar nga niveli rajonal për ndërmarrjen e masave profesionale hetimore për sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë rast. Ekipet kompetente hetimore përfshirë edhe ato të teknikës forenzike kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e ekzaminimit forenzik, ku edhe është evidentuar dëmi në disa varreza të komunitetit serb”, njofton policia.

    Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rast në drejtim të veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” neni 413, paragrafi 1.

    “Policia e Kosovës përmes hetuesve më të specializuar është e përkushtuar në kompletimin e shpejtë dhe hetimin sa më profesional të këtij rasti, sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë rastin dhe sjelljen sa më parë para organeve të drejtësisë kryerësve të këtij akti të shëmtuar”, njofton PK-ja.

    Gjithashtu, policia inkurajon të gjithë qytetarët pa dallim, në rast të posedimit të ndonjë informate lidhur me këtë çështje, ta ndajnë me Policinë e Kosovës në mënyrë që rastet e tilla të zbulohen më shpejt dhe mos të përsëriten asnjëherë në të ardhmen.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!