×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetët e LDK-së thumbojnë keq Shpend Ahmetin e Fatmir Limajn pasi nuk u morën në Berlin

    Reporteri
    29 Prill 2019 | 20:31

    Presidenti Hahshim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj po qëndrojnë në Gjermani ku po marrin pjesë në Samitin e Berlinit, me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.


    Gazeta Online “Reporteri.net” ka marrë vesh se të dy liderët shtetërorë të Kosovës kanë pasur mundësi përfaqësimi në këtë samit sipas formatit të njohur si “1 plus 1”.

    E këtij lloji të ftesës i është përgjigjur presidenti Thaçi. Ai me vetë ka marrë zëvendëskryeministrin dhe njëherit ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli. Ky i fundit e vuri edhe në shërbim aeroplanin e tij privat për të udhëtuar deri në Berlin.

    Por, njëjtë nuk ka vepruar Kryeministri Ramush Haradinaj. Shefi i Qeverisë ka preferuar të shkojë i vetëm në Berlin.

    Kështu Haradinaj ka injoruar edhe zv.kryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e PSD-së Shpend Ahmeti, të cilëve ua ka besuar drejtimin e Ekipit Negociator.

    Limaj e Ahmeti sipas burimeve të Reporteri.net janë ‘hidhëruar’ që Thaçi e Haradinaj nuk i kanë marrë në Berlin. Ndërsa deri më tani ata nuk janë bërë të “gjallë”.

    Kjo ka bërë që deputetët e opozitës, konkretisht ata të LDK-së të Isa Mustafës të thumbojnë jo pak Limajn e Ahmetin.

    Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka pyetur përfaqësuesit e Ekipit Negociator se ku janë në këto momente.

    “Ku është Ekipi Shtetëror për Negociata me Serbinë?! U turrën me nxitim edhe ligj bënë për dialogun! Do ta ndalim Thaçin na thonin neve si opozitë! Ku jeni tani Shpend dhe Fatmir?! Pushtet pa moral dhe i mjerë. Jeni të ri djem, keni kohë e mësoheni”, ka shkruar ndër të tjera Rugova, shkruan Reporteri.net.

    Me Limajn e Ahmetin ka ironizuar edhe deputeti tjetër i LDK-së, Haxhi Avdyli duke thënë se një vjet deklaruan se do e ndalin Thaçin e nuk arritën ta ndalin as gazetarin Baton Haxhiu i cili gjendet në Berlin, edhe pse nuk dihet nëse ka udhëtuar si gazetar apo si pjesë e delegacionit të Shqipërisë pasi është i afërt me kryeministrin Rama.

    “Kolegët e mi deputet PAN-PSD duhet ta ndërrojnë vendimin e tyre që në vend të Fatmir Limajt e Shpend Ahmetit si negociator, nga sot ta zyrtarizojnë Baton Haxhiun e Hajdar Beqajn. Na kanë pas lodhë 1 vjet po ndalim Thaçin,po e ndalim, e se ndalën dot as Batonin”, ka shkruar Avdyli.

    Ndryshe, nga drejtuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nuk është ftuar në këtë samit. Në vend të tij, Merkel e Macron kanë thirrur Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Gent Cakaj.  /Reporteri.net/,

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!