×
  • Lajme
  • Lajme

    Limaj e Ahmeti ‘hidhërohen’ që Thaçi e Haradinaj nuk i morën në Berlin

    Reporteri
    29 Prill 2019 | 16:03

    Presidenti Hashim Thaçi ka marrë me vete në Berlin Ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli. Por, njëjtë nuk ka vepruar kryeministri Ramush Haradinaj që në samitin e Ballkanit Perëndimor ka shkuar i vetëm.


    Presidenti Hahshim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj të dielën kanë udhëtuar për në Gjermani. Ata sot, me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, në Berlin do të marrin pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka marrë vesh se të dy liderët shtettorë të Kosovës kanë pasur mundësi përfaqsimi në këtë samit sipas formatit të njohur si “1 plus 1”.

    E këtij lloji të ftesës i është përgjigjur presidenti Thaçi. Ai me vetë ka marrë zëvendëskryeministrin dhe njëherit ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli. Ky i fundit e vuri edhe në shërbim aeroplanin e tij privat për të udhëtuar deri në Berlin.

    Por, njëjtë nuk ka vepruar Kryeministri Ramush Haradinaj. Shefi i Qeverisë ka preferuar të shkojë i vetëm në Berlin.

    Madje, Haradinaj ka injoruar edhe bashkëpartnerin e tij qeverisës Fatmir Limaj dhe kryetarin e PSD-së Shpend Ahmeti, të cilëve ua ka besuar drejtimin e Ekipit Negociator.

    Përkundër se Dialogu dhe idetë për marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë priten të jenë pikat kryesore të diskutimit në këtë samit një ditorë të thirrur në Berlin nga Merkel dhe Macron.

    E kjo, sipas burimeve të Reporteri.net ka hatruar dy kryenogciatorët Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

    Ndryshe, Samitit i Ballkanit Perëndimor në Berlin, me pjesëmarrës të liderëve kryesorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Veriore, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi, ka nisur punimet në ora 15:45 të ditës së sotme.

    Të ftuar në këtë samit, sipas agjendës zyrtare të siguruar nga Reporteri.net, janë edhe udhëheqësit shtetërorë të Kroacisë dhe Sllovenisë – shtete të Ballkanit që tashmë janë pjesë e Bashkimit Europian. Po ashtu, në Berlin për këtë organizim kanë udhëtuar edhe Presidenti i Komisionit Europain Jean-Claude Juncker dhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

    Angela Merkel si nikoqire e këtij samiti, para nisjes së tij ka patuar takim sy me sy kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë Veriore Zoran Zaev.

    Agjenda zyrtare nuk parasheh ndonjë takim të tillë të veçantë, mes liderëve kosovarë Thaçi e Haradinaj, me Merkelin apo presidentin francez Macron.

    Ndryshe, nga drejtuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nuk është ftuar në këtë samit. Në vend të tij, Merkel e Macron kanë thirrur Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Gent Cakaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!