×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti Petroviq ka frikë se mund ta vrasin

    Reporteri
    20 Mars 2019 | 12:37

    Deputeti i vetëm serb i Kuvendit të Kosovës që nuk i takon Listës Serbe, Slobodan Petroviq, pas sulmit të sotëm në qendër të Prishtinës, është shfaqur i frikësuar se sulmet mund të mos përfundojnë këtu.

    Duke komentuar rastin e sotëm, Petroviq tregoi se me kërcënime përballet tash e sa vite nga këta persona dhe u lut me drojë se ato mund të kalojnë edhe në “diçka tjetër” përtej fizikës, duke aluduar për vrasje, shkruan Reporteri.net.

    “Për vite nga këta persona, kam pasur kërcënime verbale, të cilat më pas kaluan në kërcënime fizike. Dhashtë Zoti që të mos kalojnë në diçka tjetër”, ka thënë Petroviq para mediave kosovare.

    E për të konfirmuar se Petroviq i druan ndonjë sulmi më serioz, ai e përmendi edhe rastin e Oliver Ivanoviqit, i cili u vra pikërisht pas një fushate të egër që nisi ndaj tij nga Serbia. Për këtë lloj fushate, Petroviq i ka shkruajtur presidentit serb, duke i kërkuar të konfirmojë ato që dëgjon nga njerëzit e tij në Kosovë.

    “Javën e kaluar i kam dërguar një letër të hapur presidentit serb Vuçiq, pasi javën e kaluar 5-6 herë më përmendi mua personalisht dhe më kritikoi. Unë në atë letër të hapur që e kam publikuar edhe në media, kam thënë se kjo është kampanjë dhe më ka vendosur në qendër mua. Fatkeqësisht kemi një përvojë të keqe nga disa muaj më parë kur Ivanoviq u vra për shkaqe të njëjta. Unë në atë letër i kërkova presidentit serb që para se të dalë me ndonjë deklaratë për mua dhe punën time, të vërtetojë mirë faktet”, ka shtuar deputeti serb.

    Ndërkohë, duke thënë se nuk do të ndalet dhe se nuk mund ta frikësojë askush në punën që bën, Petroviq tha se nuk mund ta mohoj që ky sulm e ka rrezikuar dhe vënë në frikë familjen e tij dhe atë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!