×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Deputeti turk, Enis Kervan: Komuniteti ynë ka dhënë dëshmorë të UÇK-së, shteti i Kosovës një realitet që duhet të pranohet

    Reporteri
    03 Qershor 2021 | 14:44

    Autor: Blendi Gashi


    Enis Kervan, deputet i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, njëherit kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik që është pjesë e qeverisë Kurti e vlerëson bashkëpunimin dhe mbështetjen që kanë deri më tani.


    Kervan në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”, ndërsa flet për dialogun Kosovë-Serbi, thotë se komuniteti turk e ka mbështetur Kosovën paraluftës, në luftë dhe pas saj.

    Ai thotë se si komunitet turk kanë dhënë edhe dëshmorë në luftën e fundit, edhe pse shton se kjo nuk është  përmendur aq shumë.

    Kervan thotë se shteti i Kosovës është një realitet që duhet të pranohet.

    Ai flet edhe për gjendjen e komunitetit turk, tregon sa i ka prekur pandemia, si dhe për punët që ka bëri si ministër i Zhvillimit Rajonal në kohën e Qeverisë Hoti.

    Lexojeni të plotë intervistën me Enis Kervan, deputet i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, njëherit kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

    REPORTERI: Kuvendi sot mbajti seancë plenare ku u diskutua për gjendjen në arsim, konkretisht sa ka ndikuar pandemia në këtë sektor. Sa ka prekur nxënësit e komunitetit turk që jetojnë në Kosovë?

    Pandemia ka ndikuar jo veç në Kosovë, por edhe në tërë botën dhe ka prekur edhe arsimin në vendin tonë.

    Edhe në fjalimin tim sot në Kuvend fola se sa COVID-i e ka prekur edhe komunitetin tonë, megjithatë në përgjithësi ka kaluar mire. Kurse për ndjekjen e mësimeve online ka pasur xhirime në televizione, si dhe në portalet e Ministrisë së Arsimit.

    Në anën tjetër i kemi disa probleme në arsim që janë trashëguar, me tekstet shkollore, librat nuk i kemi me plan programe të reja, nuk kemi pasur kurrë librat ndihmëse dhe shpresoj që me kohë do të zgjidhen këto probleme.

    Besoj që deri në fund të vitit tekstet shkollore do të botohen në gjuhën turke, pasi e kemi përkrahjen e ministres së Arsimit dhe do të tejkalohen ngadalë këto probleme.

    Në Prishtinë, Prizren, Mamushë, Gjilan dhe Mitrovicë arsimi zhvillohet në gjuhën turke, por siç e thash problemet kryesore janë tekstet shkollore dhe librat e punës.

    Po fëmijët e komunitetit turk në shkolla e mësojnë gjuhën shqipe?

    Çdo herë insistoj dhe kemi dëshirë sa më shpejt që me kurrikulat për gjuhën shqipe të mësojnë edhe komunitet, fëmijët tonë mësojnë mirë gjuhën shqipe, por nuk kemi libra, ky është problemi kryesorë.

    Nuk mjafton që fëmijët tonë të mësojnë gjuhën shqipe vetëm jashtë shkollave, pra duhet të ndjekin edhe mësimet për këtë.

    Partia juaj dhe Grupi Parlamentar Multietnik që udhëhiqni ju jeni në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Si po ka ecur deri tani bashkëqeverisja?

    Nuk ka shumë kohë që është formuar Qeveria, por kemi përvojë në institucione pasi kemi qenë çdo here pjesë e tyre dhe kemi dhënë kontributin tonë.

    Kemi përfaqësim në qeveri, edhe në Kuvend, kemi formuar grupin parlamentar, dhe është duke ecur shumë mirë dhe besoj se kështu do të vazhdojë.

    Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti?

    Jemi të kënaqur me programin e qeverisë që është prezantuar edhe në Parlament, jemi të kënaqur në shumë pika, pasi vlerësohen edhe komunitetet jo shumicë.

    Si komunitet dëshirojmë të krijojmë kushte sa më të mira, në arsim, kulturë por edhe në ekonomi, dhe këto janë pjesë e programit qeverisës.

    Cili është qëndrimi juaj për dialogun Kosovë-Serbi?

    Ne si komunitet kemi kontribuar çdo here për Kosovën. Unë personalisht kam qenë edhe paraluftës person që me flamurin turk dhe shqiptar kam dalë në protesta dhe kam përkrahur shumicën shqiptare.

    Edhe prej familjes sime janë larguar nga puna në atë kohë, gjithmonë kemi qenë me shumicën dhe i kemi dhënë përkrahje.

    Më pas përkrahja ka vazhduar edhe në kohë lufte, kemi edhe dëshmorë, duhet pak më tepër me u përmend, si komunitet turk kemi dëshmorë në UÇK.

    Kontributi dhe përkrahja jonë ka vazhduar edhe pasluftës për shtetndërtimin e vendit, në arritjen e pavarësisë, ku kam pasur fatin personalisht të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë, dhe kontributi ynë si komunitet vazhdon edhe sot.

    Ne e mbajmë qëndrimin që e mban shumica, jemi krenar që jetojmë në Republikën e Kosovës.

    Ne e përkrahim si partner të koalicionit programin e qeverisë, e përkrahim dialogun, dhe dëshirojmë të merren edhe mendimet e komuniteteve jo serbe.

    Mendoj që duhet të pranohet realiteti, Kosova është shtet i pavarur dhe njohur nga shumica e shteteve, është një realitet.

    Të drejtat si komunitete i kemi, dhe për këtë jemi shembull në Evrope, realiteti duhet të pranohet, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

    Ju keni qenë ministër i Zhvillimit Rajonal pozitë të cilën tani e mban kryetar i partisë suaj Fikrim Damka. Ç’punë keni bërë si ministër në këtë dikaster?

    Ministria e Zhvillimit Rajonal kur e kam marrë për ta drejtuar nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me institucionet vendore, as me Odat Ekonomike, por as kontakte e as marrëveshje me faktorët ndërkombëtarë.

    Unë si ministër kam insistuar që me pas marrëveshje me institucionet vendore e ndërkombëtare, çka kam lidhur disa marrëveshje dhe kam realizuar disa projekte.

    Është e vetmja ministri që nuk ka pasur ligj e as strategji, dhe kam arritur ta miratoj strategjinë.

    Me z.Damka (ministër i Zhvillimit Rajonal) do të kontribuojmë për balancimin e zhvillimeve rajonale, tash përpunohet ligji, bashkëpunimet janë krijuar, marrëveshjet që kemi nisur janë duke u zbatuar dhe do të ketë dhe marrëveshje tjera.

    Për fund, si e shihni opozitbërjen aktuale në Kosovë?

    Në institucionet demokratike opozita duhet ta bëjë punën e vet, kurse qeveria të vetën. Në këtë aspekt nuk jam fokusu, por çdo herë fokusi im është për të punuar dhe kontribuar për komunitetet. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!