Deputetja e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovës përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse. Ajo tha se për këtë KFOR-i britanik është në dijeni.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”.

Në deklaratën e bërë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Kearns e bëri të qartë se kush është në të vërtetë fajtori në gjithë këtë situatë, dhe se kritikat dhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të rrezikshme dhe të padrejta.

Reklamë

“Situata në Kosovës është kritike, dhe Mbretëria e Bashkuar ka një përgjegjësi unike atje. Ne duhet të flasim hapur për këtë gjë. Ajo që po ndodh aktualisht në Kosovë është rezultat i ndërhyrjes së jashtme të Beogradit 18 muaj më parë, kur bëri ndërhyrje në zgjedhjet e brendshme të Kosovës. Beogradi u tha serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet ishin të drejta dhe të lira, por nuk patën pjesëmarrjen e kënaqshme, sepse Vuçiqi u tha serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë”, tha Kearns.

Më tej deputetja britanike, ka theksuar se më e keqja është se vendet perëndimore të BE-së dhe SHBA-të sulmojnë Kosovën për dëshirën për të mbrojtur të drejtat e kryetarëve të komunave për të shkuar në zyrat e tyre.

“Ne pamë edhe një sulm brutal të milicisë së armatosur dhe mbështetur nga Beogradi, kundrejt KFOR-it, ku 26 ushtarë u plagosën rëndë dhe u shtruan në spital dhe përgjigja ishte për të kritikuar Kosovën: “Si guxoj Kosova që ta krijojë këtë situatë!”. Ne e dimë megjithatë se ishin milici të financuara nga Beogradi dhe situata në fund u krijua nga Beogradi kur tha: “Mos merrni pjesë në zgjedhje””, tha Kearns.

Kearns ka përmendur më pas edhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës, duke thënë se ata rrëmbyen ilegalisht dhe rrëmbimi është gjithmonë i paligjshëm sipas legjislacionit ndërkombëtar.

“Më në fund, pati një përgjigje dhe pamë një ekuilibër: “Beogradi dhe Prishtina duhet të punojnë për normalizimin, qetësimin dhe de-përshkallëzimin”. Mirëpo, fajin e kishte Serbia dhe nuk u kundërshtua fakti se ishte ndalim arbitrar dhe i paligjshëm. Kur Serbia rrëmbeu tre policët kosovarë, nuk kishte asnjë dënim. Në fakt, Serbia mori pjesë në një stërvitje ushtarake me SHBA-në vetëm një javë më vonë, ndërkohë që policët kosovarë mbaheshin ende ilegalisht. Çfarë mesazhi i dërgon kjo Kosovës”, pyeti Kearns.

Reklamë

Ajo kërkoi nga qeveria britanike që ta bëjë të qartë se Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë sovranitetit territorial dhe demokracisë së Kosovës.

“Për ta bërë këtë, ne duhet të zgjerojmë mandatin e KFOR-it për të siguruar një qasje më proaktive për të luftuar kontrabandën e armëve dhe milicitë në veri të Kosovës. Ne duhet të sigurojmë drejtësi dhe të ndërmarrim veprimet e nevojshme për të operuar një politikë kuptimplote të diplomacisë parandaluese”, ka deklaruar Kearns.