×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja e LDK-së: Kryeministrit Kurti i ka humbur rruga në oborr, qeverisja e tij është fokusuar në kapjen e shtetit

    Reporteri
    16 Gusht 2021 | 15:43

    Autor: Besfort Veseli


    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se pushteti i ri do të mbahet mend si Qeveria më e dobët në historinë e vendit tonë. Ajo në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net” ka deklaruar se gjatë 100-ditëshit të parë të ekzekutivit, qytetarët nuk kanë parë asnjë vendim të mirë që do të krenoheshin nga udhëheqja e kryeministrit, Albin Kurti.


    Deputetja nga Vushtrria tha se me fjalët dëshpërim dhe zhgënjim mund të përshkruhet puna dhe angazhimi i Qeverisë Kurti 2 deri më tani.

    “Kjo qeveri ka dështuar që në fillim të ofroj diçka të mirë për qytetarët, zhgënjimi i të cilëve është çdo ditë e më i madh nga mospuna e tyre dhe niveli i lartë i papërgjegjësisë që kanë treguar deri më tani”, u shpreh ajo për Reporteri.net.

    Sa i përket të bërit opozitë, deputetja e LDK-së thotë se kryeministrit Kurti i ka humbur rruga në oborr, pasi sipas saj, ai nuk u tregua i aftë për asnjë moment për ta drejtuar vendin.

    Ajo shtoi se Opozita është më konstruktive dhe më përmbajtësore në raport me punën e Qeverisë.

    “Kryeministrit Kurti i ka humur rruga në oborr, ai nuk u tregua i aftë për asnjë moment për ta drejtuar vendin, në vazhdimësi është marrë me demagogji, siç ka vepruar në opozitë dhe mendon se duhet të veprohet njësoj edhe gjatë drejtimit të pushtetit, duke harruar faktin se është aty për të vepruar dhe punuar e jo të humb kohë duke analizuar rolin e opozitës, sepse për dallim prej tij që sa ishte në opozitë nuk kursente asgjë për të realizuar synimet e atëhershme. Opozita tani është më konstruktive dhe përmbajtësore në raport me punën e Qeverisë”, deklaroi Krasniqi.

    Lidhur me gjendjen e COVID-19 në Kosovë, Krasniqi thotë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është duke e menaxhuar pandeminë në mënyrën më të keqe të mundshme, teksa është shprehur se nëse krahasohet angazhimi i tij me atë të ish-ministrit Zemaj, atëherë dallimi është si nata me ditën, duke shtuar, se në Qeverinë Hoti situate me koronavirusin ka qenë nën kontroll.

    “E thash edhe më lartë, po e ritheksoj sërish, ministri Vitia është duke e menaxhuar pandeminë në formën me të keqe të mundshme, për çka qytetarët e këtij vendi më së shumti po i bartin pasojat shëndetësore. Ditëve të fundit shohim rritje masive të rasteve të infektimit në mesin e tyre edhe viktima, pra kjo situatë është treguesi i qartë i menaxhimit të dobët të pandemisë nga Qeveria Kurti, derisa nëse e krahasojmë atë me angazhimin e ish-ministrit Zemaj, dallimi është si nata me ditën. Është nonsense kjo çfarë është duke bërë ky ministër (Vitia), që ka humbur fokusin me shëndetësinë, duke lakmuar pushtetin me Prishtinën”, pohoi Krasniqi.

    Lexoni të plotë intervistën me deputeten e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”: 

    Reporteri.net: Si e vlerësoni punën 100-ditëshe të Qeverise Kurti 2?

    Rrezarta Krasniqi: Qeveria Kurti në 100 ditëshin e parë të udhëheqjes së shtetit do të mbahet mend si qeveria me e dobët në histori të drejtimit të vendit. Gjatë kësaj periudhe qytetarët e vendit nuk kanë parë asnjë vendim të mirë e që do të mund të krenoheshin me punën e kësaj qeverie.

    100 ditë dëshprim dhe zhgënjim të madh për qytetarët. Më pak fjalë kështu mund të përshkruhet puna dhe angazhimi i Qeverisë Kurti në këtë përiudh. E kam thënë edhe në Kuvendin e Kosovës se kanë ndërtuar një qasje arrogante me pushtetin dhe aspak shpresëdhënëse për qytetarët. Fare nuk flitet për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie, kjo sepse janë fokusuar në kapje të shtetit, përmes shkarkimeve të bordeve dhe punësimeve të familjarëve në pozita kyçe, punësime këto që po ndodhin edhe këto ditë si rasti i motrës dhe vajza e agjës së Ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu, që janë punësuar në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

    Këta që duan t’ia vjedhin shpresën qytetarëve, tentuan edhe t’i plaçkisnin ata përmes një tikete krejtësisht të panevojshme, në vlerë prej 5 euro, si dëshmi të regjistrimit të veturave, por në fund dështuan dhe u dorëzuan, para presionit të madh publik. Sigurisht kanë menduar se pushteti apsulut ua mundëson të bëjnë çfardo me fatin e qytetarëve, por gabuan, sepse qytetarët nuk u nënshtruan, por kundërshtuan fuqishëm.

    Në 100 ditëshin e parë kjo qeveri vendosi t’ia rëndoj edhe më tepër barren ekonomike, shëndetësore e sociale për pensionistët, duke ua zvogëluar pensionet në vlerë prej 20 euro, nga 120 euro sa ishin gjatë qeverisjes Hoti. Një vendim i dëmshem dhe jonjerëzor, veçanërisht për javët dhe muajt e fundit kur shohim një shtrenjëtim të jashtëzakonshëm të produkteve ushqimore.

    Pra, kjo qeveri ka dështuar që në fillim të ofroj diçka të mirë për qytetarët, zhgënjimi i të cilëve është çdo ditë e më i madh nga mospuna e tyre dhe niveli i lartë i papërgjegjësisë që kanë treguar deri më tani.

    Kryeministri Kurti ka lenë të kuptohet se partitë opozitare nuk po dinë të bëjnë punën e tyre. Si i kundërpërgjigjeni?

    Kryeministrit Kurti i ka humbur rruga në oborr. Ai nuk u tregua i aftë për asnjë moment për ta drejtuar vendin, në vazhdimësi është marrë me demagogji, siç ka vepruar në opozitë dhe mendon se duhet të veprohet njësoj edhe gjatë drejtimit të pushtetit, duke harruar faktin se është aty për të vepruar dhe punuar e jo të humb kohë duke analizuar rolin e opozitës, sepse për dallim prej tij që sa ishte në opozitë nuk kursente asgjë për të realizuar synimet e atëhershme. Opozita tani është më konstruktive dhe përmbajtësore në raport me punën e qeverisë.

    Dialogu me Serbinë është një temë tejet e ndjeshme. Si i keni parë takimet që zhvilloi kryeministri Kurti muajin e kaluar dhe qasjen e tij në Dialog?

    E thash edhe më lartë se Qeveria Kurti ka nisur çdo gjë mbrapsht që nga ditët e para të punës e deri më tani. Kur po e them këtë në mendje e kam edhe mënyrën se si ka nisur dialogun me Serbinë, çështje kjo që ju e dini se ka deklaruar se nuk do të jetë në prioritetet e para të kësaj qeverie dhe për më keq ka shpërfillur vazhdimisht Kuvendin e Republikës së Kosovës duke e shkelur edhe rezolutën që e kanë miratuar vetë për raportim para dhe pas çdo veprimi që ndërlidhet me çështjen e dialogut. Pastaj është shkelur rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilën vet e kanë miratuar për raportim të vazhdueshëm para Kuvendit, para dhe pas çdo veprimi që do të ndërmerret lidhur me dialogun me Serbinë, por kjo nuk ka ndodhur. Ne në shumicën e rasteve kemi mësuar përmes mediave takimet për dialog, ky pra ka qenë niveli i transparencës së kësaj qeverie që injoron në mënyrë të vazhdueshme opozitën dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Një ndër temat më të nxehta ditëve të fundit është edhe emërimet nëpër borde. Opozita po i quan ‘kapje të shtetit’, kurse mazhoranca emërime profesioniste. Si i keni parë ju?

    – Nuk mund të quhet kapja e shtetit ndryshe, përderisa shkarkon njerëz nga funksionet e tyre për të rehatur familjarë e njerëz me librezë partie, siç është duke ia bërë tani kjo Qeveri. A vetëm ata që i përzgjedh LVV-ja, qenkan profesionist në këtë vend? Është nonsens dhe ofenduese për qytetarët të thuhet se profesionistë janë vetëm ata që i përkasin LVV-së apo janë familjarë me drejtuesit e këtij subjekti.

    Më 17 tetor do të mbahen Zgjedhjet Lokale. Cilat komuna sipas jush do t’i fitojë LDK-ja?

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka vullnetin dhe energjinë me të madhe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, që mbahen më 17 tetor të këtij viti. Për dallim prej partive tjera, LDK ka bërë përzgjedhjen më të mirë të kandidaturave për kryetarë komunash, ku ka zgjedhur figura nga profesione e gjini të ndryshme, që sigurisht janë emrat më të pranuar nga elektorati dhe po mbështeten në vazhdimësi e më shumë. Andaj marrë për bazë kandidatët që deri më tani janë zyrtarizuar për kryetarë komunash, LDK do të triumfojë në shumicën e komunave, me ç’rast do të vazhdojë të bëjë punë të mira në komunat ku ka qeverisur deri me tani dhe pa dyshim se do t’ua kthej shpresën qytetarëve në ato komuna ku kanë qeverisur partitë tjera.

    Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së. A pritni që do ta ringjallë elektoratin e partisë dhe ta kthejë në ditët e saj më të mira?

    Procesi reformues në të cilin ka hyrë muaj më parë Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndikuar në fuqzimin e saj në strukturat e partisë, forcë kjo e cila është përcjellur edhe te lidhja me anëtarësinë dhe përkrahësit e LDK-së, të cilët besojnë edhe më shumë në vizionin e partisë sonë.

    A po bën LDK-ja një opozitë të “përgjumur”, pasi ka pasur kritika të ndryshme nga politikanë e shoqëria civile?

    Nuk pajtohem fare me këtë konstatim, ndonëse si të tillë nuk e kam dëgjuar nga shoqëria civile, përkundrazi unë jam e bindur se kjo është forma më e duhur e opozitarizmit, duke përcjellur punën e Qeverisë dhe duke e kritikuar atë brenda institucioneve si Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në fakte dhe argumente të qëndrushme. LDK-ja në opozitë ka rol përmbajtësor dhe mjaft konstruktiv. Nëse bën të quhet opozitë e mirë shkatërrimi i institucioneve të vendit, që janë krijuar me shumë mund dhe angazhim dhe dëmtimi i pronave tjera publike dhe private, atëherë për ne kjo nuk është opozitarizëm dhe jemi kundër një forme të tillë e të bërit opozitë. LDK-ja është gardian i shtetit të Kosovës dhe do të veprojë çdo herë me maturi karshi situatave të caktuara.

    A do të jetë më aktiv opozitarizmi i subjektit tuaj?

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të përgjigjet në çdo rast ndaj situatave të caktuara, kur konsiderohet se po cenohet sovranitati dhe integriteti i vendit, e sidomos në rastet kur tentohet prishja e miqësisë me aleatët me të mëdhenj të vendit, siç është tentuar disa herë me minimin e rolit të SHBA-së në rapot me dialogun dhe marrëveshjeve tjera të rëndësishme për vendin. Ne jemi aty për të kundërshtuar çdo vendim apo veprim të dëmshem për qytetarët e vendit.

    Ditëve të fundit ka pasur një rritje të numrit të rasteve me COVID-19, a duhet të ndryshohen masat sipas jush?

    Ne shohim se tri ditët e fundit kemi një shtim masiv të rasteve të infektimit me virusin COVID-19 dhe kjo flet shumë për menaxhimin e dobët të kësaj qeverie me pandeminë, për çka kemi kritikuar edhe në Kuvendin e Kosovës, sepse si proces është menaxhuar në mënyrën me të keqe të mundshme, që për fatin e keq vetëm qytetarët janë ata që po i bartin pasojat, sepse qeveritarët janë imunizuar dhe nuk ndihen të rrezikuar nga ky virus apo variantet tjera të virusit që po diskutohen. Ne kemi parë disa masa që ka ndërmarrë Qeveria, për të cilat jam shumë skeptike se mund të japin efekt në zvogëlimin e rasteve, sepse kemi të bëjmë me një keqmenaxhim në një përiudhë më të gjatë.

    Ju jeni dëshmitar të procesit të vaksinimit, jemi vendi i fundit në rajon që kemi siguruar vaksinat, mos të flasim pastaj për formën se si ka shkuar deri këtu si proces, që totalisht kanë qenë të papërgjegjshëm, në shumë raste kanë rrezikuar qytetarët që prisnin në radhë për t’u vaksinuar. Një tjetër dukuri negative është mos-puna gjatë ditëve të vikendit, çka ka ndikuar në pamundësimin e vaksinimit për qytetarët, sepse ka të tillë që për ditë me radhë angazhohen për të siguruar një termin për vaksinim.

    Si po e menaxhon ministri Vitia pandeminë COVID-19, krahasuar me ish-ministrin Zemaj?

    E thashë edhe më lartë, po e ritheksoj sërish, ministri Vitia është duke e menaxhuar pandeminë në formën më të keqe të mundshme, për çka qytetarët e këtij vendi më së shumti po i bartin pasojat shëndetësore. Ditëve të fundit shohim rritje masive të rasteve të infektimit në mesin e tyre edhe viktima. Pra, kjo situatë është treguesi i qartë i menaxhimit të dobët të pandemisë nga Qeveria Kurti, derisa nëse e krahasojmë atë me angazhimin e ish-ministrit Zemaj, dallimi është si nata me ditën. Ne kemi parë se gjatë asaj përiudhe situata pandemike ka qenë nën kontroll dhe janë zbritur rastet me të infektuar derisa është rritur numri i punonjësve shëndetësorë për të ofruar shërbime në çdo kohë për qytetarët e infektuar. Derisa, ministri aktual me të ardhur, ka ndërprerë kontratën e mbi 300 punonjësve shëndetësorë me arsyetimin se janë zvogëluar rastet dhe nuk janë të nevojshëm më. Veprim ky që për mendimin tim sa është nënçmues, është edhe ofendues, sepse angazhimi i tyre ka qenë me ditë të tëra dhe pa orar të caktuar, ndërkaq sot shohim se kanë kërkuar shtimin e 80 punëtorëve shëndetësorë, për të menaxhuar situatën me pandeminë. Është nonsense kjo çfarë është duke bërë ky ministër, që ka humbur fokusin me shëndetësinë, duke lakmuar pushtetin me Prishtinën.

    Si e keni pare punën e presidentes së vendit, Vjosa Osmani deri më tani, a ia ka vlejtur që LDK-ja ka qëndruar në sallë, kur ajo u votua më 4 prill të këtij viti?

    Lidhja Demokratike e Kosovës është parti institucionaliste dhe çdo herë ka vepruar në bazë të interesit të vendit. Ju e dini se mos-zgjedhja e Presidentit, do ta dërgonte vendin sërish në zgjedhje të reja, e në situatën që ishim, ishte plotësisht e padrejtë për qytetarët që të dërgohet vendi sërish në zgjedhje. Tani në këto moment nuk mund të japim konstatime nëse ia ka vlejtur apo jo, por mund të iu them që ne jemi aty për të monitoruar në çdo moment, për të monitoruar punën e tyre dhe do të veprojmë konform situatave të krijuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!