×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja Statovci: Të zbardhet rasti i Martin Berishajt, raportet Osmani-Kurti janë të palëkundura, Lista Guxo po shtrihet çdo ditë

    Reporteri
    28 Prill 2022 | 20:22

    Autor: Blendi Gashi


    Një tërheqje tjetër e Trustit nuk i ndihmon qytetarët. Ata kanë nevojë për vende të reja pune. Në 4 mujorin e parë të këtij viti i kemi mbi 150 milionë euro të hyra shtesë që tejkalojnë buxhetin për vitin 2022. Raportet Osmani-Kurti dhe Gërvalla-Kurti janë konsistente, të ndërtuara me vite, me shumë beteja politike. Këta të tre e kanë kthyer dinjitetin në institucionet që i drejtojnë. Si asnjëherë më parë për këto 20 vjet, për këtë një vit qeverisje është shtrirë sovraniteti në veri. Krejt këto i thotë deputetja Jeta Statovci në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net.

    Deputetja e Listës Guxo, pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjen, në këtë intervistë ka folur edhe për planet e partisë që aktualisht drejtohet nga Donika Gërvalla, për procesin e shtirjes së këtij subjekti politik dhe nëse ajo dhe deputetët tjerë të kësaj partie planifikojnë të ndahen nga grupi parlamentar i partisë së Kurtit.

    Thotë se afera e ambasadorit Martin Berishaj duhet të zbardhet, por ka kërkuar që të mos paragjykohet rasti. “Republika e Kosovës duhet të jetë e së drejtës, dhe institucionet përkatëse duhet zbardhur secilin rast, pa paragjykuar tutje”, shprehet ajo.

    Krisjet mes shefave të shtetit i quan dezinformata. Jep edhe vlerësimin e saj, natyrisht pozitiv, për një vit e më shumë të Qeverisjes së Kurtit.

    “Sfida më e madhe do jetë forcimi i sundimit të ligjit, andaj të vetëdijshëm për këtë, ne kemi insistuar dhe do insistojmë për Vettingun”, thekson ajo.

    Lexojeni të plotë intervistën me deputeten e Listës Guxo (GP i LVV-së) Jeta Statovci, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

    REPORTERI.net: Jeni në mandatin e parë si deputete, si i keni parë zhvillimet në përgjithësi që ndodhin brenda Kuvendit?

    Jeta Statovci: Është e vërtetë që jam për herë të parë në Kuvend dhe përvoja është interesante. Përveç përgatitjes profesionale nga debatet që ndodhin në komisione e veçanërisht në seanca janë mësim shtesë jo vetëm për aktualitetin por gjithë historinë e vendit tonë sa i përket zhvillimeve në shumë sektorë.

    REPORTERI.net: Ju dhe kolegët nga Lista Guxo jeni pro apo kundër tërheqjes së një përqindje të parave nga Trusti?

    Jeta Statovci: Jemi deklaruar si Grup Parlamentar se cili është qëndrimi ynë në këtë pikë. Qëndrimi i grupit parlamentar ka qenë i njëjtë edhe në vitin 2020 në kohën kur grupi ishte ne opozitë, dhe kur u bë e mundur për herë të parë të ndërhyhej në Trust.

    Ne besojmë se shteti duhet t’i ndihmojë qytetarët nëpërmjet rishpërndarjes, nëpërmjet rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes për ata në skema sociale, fëmijëve, grave dhe të rinjve, si dhe fermerëve e ndërmarrësisë së vogël e të mesme. Si masë, tërheqja e 30% së Trustit nuk i ndihmon ata me të ardhura të vogla apo kategoritë në nevojë, pasi vetë përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Në kuadër të mbështetjes për qytetarët me mbi 100 milionë euro, kanë përfituar mbi 800 mijë qytetare – pra dukshëm më shumë në numër sa sa ata që do përfitonin përmes masës tjetër.

    Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se kemi rritje ekonomike për 10.35%, por FMN pohoi se është më e ulëta në 10 vitet e fundit. Sipas jush, cila është e vërteta?

    Së pari këtu qëndron një dezinformim sepse deklarata e Kryeministrit Kurti ka qenë për ekonominë e vitit 2021 që ka qenë 10.35 dhe këtë rritje nuk e kemi theksuar vetëm ne, por edhe Banka Qendrore e Banka Botërore e institucione të tjera. Ajo çka dimë për vitin 2022 është se vetëm në 4 mujorin e parë i kemi 150 milionë shtesë të hyra që tejkalojnë buxhetin për vitin 2022 që është indikacion i qartë i një ecje tejet të mbarë sa i përket të hyrave. Nëse kemi arritur që të kemi 150 milionë shtesë të hyra në pjesën e parë të vitit, në kohën kur kemi luftë në dyert e Evropës mes dy gjigantëve të prodhimit të energjisë dhe bujqësisë, tregon se po bëhet maksimumi që të mbrohet ekonomia e Kosovës në këtë periudhë.

    Media të caktuara, kohë pas kohe, kanë raportuar për përplasje mes presidentes Osmani e Gërvallës me Kryeministrin Kurti. Ka diçka të vërtetë? Si janë raportet mes tyre?

    Kjo është dezinformatë, dhe më duhet të nënvizoj një gjë, raportet e ndërtuara mes këtyre tri figurave që gëzojnë mbështetje masive elektorale, janë të ndërtuara me vite, me shumë beteja politike; dua të fokusohem sidomos te konsistenca jonë politike e cila është baza e këtyre raporteve. Këto raporte janë parimore, andaj janë edhe shumë të fuqishme dhe garantojnë rrjedhën institucionale të Kosovës.

    Presidentja Vjosa Osmani dhe Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla jo pak janë kritikuar nga partitë opozitare. Si keni parë ju këto kritika, dhe personalisht çfarë note i jepni punës së tyre?

    Po nuk është se ka një temë ku jemi lavdëruar nga opozita, dhe natyrshëm nuk do të mund të lavdohemi nga ta. Pra, kemi parë që ka shkuar deri në atë masë irracionaliteti opozitar saqë mbahen tubime e jepen deklarata në kundërshti të edhe vet Fondit të Sigurisë. Mbase disa po e shohin këtë fond siç i kanë parë ata dikur fondet, dhe nëse nisen nga ajo logjikë, por gjërat kanë ndryshuar shumë.

    Unë jam jashtëzakonisht e kënaqur me punët edhe të Presidentes Osmani dhe të ministres Gërvalla. Edhe në Presidencë, por edhe në Ministri të Punëve të Jashtme është kthyer dinjiteti dhe integriteti në përfaqësimin tonë në politikën e jashtme prej të cilave ka ndërruar më pas edhe vet imazhi ynë si shtet e si vend. Kosova është kthyer në vend të politikanëve të drejtë e me integritet që është parakusht për politikë të jashtme të mirëfilltë.

    Ju jeni pjesë e partisë Lista Guxo ku javë më parë zyrtarisht kryetare u zgjodh Donika Gërvalla. Sa po arrini të shtrini aktivitetin në fshatrat dhe qytetet e vendit?

    Personi i dytë më i votuar në Listën Guxo ka qenë znj. Donika Gërvalla dhe ka qenë e vullnetshme mes ne, kjo është arsyeja përse ajo u zgjodh në këtë mënyrë, pra Lista pretendon të ndërtoj standarde të fuqishme demokratike. Në vitin e parë të qeverisjes tonë, jemi përballur me fenomene akoma më të dëmshme se që i kemi menduar. Pra aq shumë punë kemi që të ndërtojmë një funksionim të mirë dhe jashtë inateve politike të së kaluarës, saqë prioritet u është vënë punëve shtetërore.

    Megjithatë, shtrirja jonë është një proces shumë i lehtë, sepse në proceset e shtrirjes politike çështjet teknike, organizative e logjistike janë dytësore në raport me nevojën për mbështetje dhe besim qytetar, këtë të fundit e gëzojmë në nivel shumë të lartë, andaj shtrirja jonë po bëhet më e lehtë. Jemi në proces të përgatitjes së një faze të re shtrirje, dhe kjo fazë do të ndodhë këtë vit.

    Si po ec bashkëpunimi mes Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje? A synoni të formoni Grup Parlamentar të juajin?

    Ka shumë interesim për këto dy tema, dhe besoj që njërës nga to i dhashë ca përgjigje, ndonëse mund të përsëris se ky bashkëpunim është garanca për vazhdimin e ndryshimeve në Kosovë, pra nëse standardi i vjetër politik është bukur mirë i unifikuar, kjo përcakton edhe më fuqishëm unifikimin e standardit të ri politik që ne përfaqësojmë. Për sa i përket Grupit Parlamentar, kjo çështje nuk paraqet tepër esencë. Pra nëse Grupi formohet, kjo do jetë vetëm një pjesë e strategjisë tonë për të fuqizuar akoma më shumë bashkëpunimin tonë, kushdo që e kupton ndryshe, gabon.

    A duhet të japë dorëheqje ambasadori Martin Berishaj pas raportimeve për dyshime në përfshirje në një aferë financiare në Slloveni?

    Kemi parë një seri të lajmeve që në fakt nuk kanë ndihmuar në kthjellimin e situatës por mjegullimin e saj. Për fushatën zgjedhore në Slloveni nuk kemi nevojë t’ia bëjmë gjyqin askujt. Nëse institucionet relevante vlerësojnë ndryshe, ne i besojmë plotësisht institucioneve, por njerëzit duhet ta kuptojnë se po jetojmë edhe në botën e lajmeve të rreme, dhe pikërisht këto lloj lajme kanë dëmtuar reputacionin edhe të medieve të mira. E kujtojmë faktin qe informacioni ishte prezantuar nga media të kontestuara dhe nga Financial Times.

    Republika e Kosovës duhet të jetë e së drejtës, dhe institucionet përkatëse duhet zbardhur secilin rast, pa paragjykuar tutje.

    Për fund, si e vlerësoni punën më shumë se 1-vjeçare të Qeverisë Kurti?

    Qeverisja Kurti ashtu siç ka marrë edhe mbështetjen qytetare përveç rezultateve konkrete tregon edhe disa gjëra që janë ndër më të rëndësishmet në vendin tonë: se në Kosovë mund të qeveriset me duar të pastra, se në Kosovë mund të qeveriset pa skandale dhe se në Kosovë mund të ndiqet krimi e mund të mos bashkëpunohet me të. Ndërkaq, në vendin tonë tash kemi qeverisje që nuk bën koncesione në dëm të Republikës dhe se në politikën e jashtme përfaqëson politikën e dinjitetshme e me parime. Si asnjëherë më parë për këto 20 vjet për këtë 1 vit qeverisje është shtrirë sovraniteti në veri, është ndaluar referendumi e po ashtu edhe zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Është kthyer afria mes qytetarëve dhe politikanëve, jemi duke u rritur në çdo sektor përkundër shumë rrjedhave negative që po ndodhin.

    Në karakterin ekonomik, janë marrë masa direkte të impaktit ekonomik dhe theks të veçantë në rishpërndarjen e të hyrave aty ku nevoja është më e madhe. Sfida më e madhe do jetë forcimi i sundimit të ligjit, andaj të vetëdijshëm për këtë, ne kemi insistuar dhe do insistojmë për Vettingun. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!