E enjtja e kësaj jave shënon fillimin zyrtar të fushatës një mujore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Tashmë partitë kanë filluar që të mbajnë takime me qytetarë e struktura të tyre duke synuar të fitojnë sa më shumë komuna. Partitë janë deklaruar se do të respektojnë masat anti-covid të vendosur nga Qeveria Kurti.
Për arsye të gjendjes epidemiologjike me coronavirus, aktivitetet e partive në ditën e parë kanë qenë të limituara. Madje disa nga to kanë përzgjedhur që hapjen e fushatës ta bëjnë në mënyrë digjitale, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Lidhja Demokratike e Kosovës është njëra nga partitë që ka zgjedhur rrjetet sociale e mediat online që të nis fushatën elektorale për zgjedhjet e tetorit.
Me anë të një postimi në faqen e saj në Facebook, LDK ka treguar se nga ora 20:00 do të fillojë hapjen digjitale të fushatës për të gjithë duke i ftuar të interesuarit ta ndjekin atë.
Por, kjo parti bëri fushatë në Gjilan në përkrahje të Lutfi Hazirit, që sërish po kandidon për një mandatë në udhëheqje të kryeqendrës së Anamoravës.
Njëjtë do të veprojë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Memli Krasniqi ka përzgjedhur që të prezantojë kandidatët e saj në të gjitha komunat në mënyrë online.
Krasniqi, nëpërmjet një video-adresimi, tha se PDK do ta shpalosë projektin e vet politik para qytetarëve në përputhje me rrethanat e rënda, të krijuara nga pandemia Covid 19 dhe keqmenaxhimi i saj nga Qeveria aktuale.
E dega në Prishtinë e Lëvizjes Vetëvendosje ka ftuar qytetarët e kryeqytetit të bëhen vullentar që sipas tyre t’ia kthejnë dinjitetit qytetit më të rëndësishëm të Kosovës.
Në postimin e degës së partisë më të madhe në vend theksohet se për t’u bërë vullnetar në qendrën e Prishtinës duhet paraprakisht të jeni të vaksinuar.
“Nëse tashmë jeni vaksinuar atëherë përgjatë kësaj kohe së bashku do të angazhohemi që komunës tonë t’ia kthejmë dinjitetin. Lëvizja VETËVENDOSJE! ju fton t’i bashkojmë talentet e aftësitë tona për qëllimin tonë të përbashkët”, thuhet në postimin e VV së Prishtinës.
Njëjtë vepruan edhe shumë degë të tjera të VV-së nëpër Kosovë, të cilat kërkuan vullnetarë për zgjedhjet e 17 tetorit.
Ndërkaq në Malishevë, VV ka organizuar tubim në ambient të jashtëm në të cilën u shpalos programi i saj për këtë qytet. Njëjtë veproi edhe dega e kësaj partie në Viti.
E i pari i AAK nëpërmjet, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një video ka kërkuar votën e qytetarëve duke sqaruar se si pasojë e gjendjes me COVID-19 ka përzgjedhur formën digjitale të kërkimit të votës.
Edhe AAK në Prishtinë ka filluar fushatën. Daut Haradinaj, kandidati i kësaj partie për postin e kryetarit të kryeqytetit, ka shpalosur para mediave planin e tij për qeverisjen katër vjeçare.
“Ju sigurojë se programi i Aleancës për qeverisjen në komuna, që bazohet në qeverisje me qytetarin është programi i duhur për të kthyer jetën, zhvillimin ekonomik dhe normalitetin në komunat tona dhe në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar premtimet kryesore të tij duke premtuar ndërtimin e spitalit të qytetit në zonën e Llukarit.
“Është shumë me rëndësi që me qeverisjen e ardhshme të nisë zbatimi i Ligjit për Kryeqytetin. Të bëhet decentralizimi buxhetor; policia e kryeqytetit, inkasimi, infrastruktura janë disa prej pikave që ne i mendojmë”, tha Haradinaj, përcjellë Reporteri.net.
Pak ditë para nisjes së fushatës, temë e rëndësishme e diskutimit ishte mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve. Këtë e kërkoi partia në pushtet, LVV, por ideja e sëcilës nuk u përkrah nga partitë e tjera. Prandaj, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, vendosi për mos shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
Por, shumë parti, përfshirë PDK-në, LDK-në e AAK-në kanë theksuar nevojën e shkurtimit të fushatës.
LDK ishte e para që propozi shkurtimin e fushatës një mujore në 10 ditë. Ndërkaq AAK sugjeroi vetëm pesë ditë fushatë zgjedhore, ndërsa PDK u pajtua me letrën e Lumir Abdigjikut, kryetar i LDK-së, që kërkonte shkurtimin e fushatës zgjedhore në 10 ditë.
Megjithatë, vetëm LDK e AAK kanë pasur vendime për shkurtimin e fushatës, ndërsa PDK e cila u pajtua, nuk nxori ndonjë vendim përkitazi me këtë çështje.
E LVV nuk u deklarua për këtë çështje duke mos nxjerrë ndonjë vendim.
Ndërkaq KQZ zyrtarisht nuk ka ndryshuar kohëzgjatjen e fushatës, e cila do të vazhdojë për 1 muaj.
Nga sot subjektet politike edhe zyrtarisht kanë hyrë në fushatën zgjedhore që do të zgjasë saktësisht 30 ditë deri më 15 tetor.