Një ditë para “Marshit për Liri” dhe pak ditë para shpalljes së vendimit në Hagë, djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, i ka kushtuar disa vargje babait të tij, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Në vargjet e publikuara në rrjetet sociale, Krasniqi kujton vitet e burgimit të babait dhe shpreh shpresën se më 16 shtator ai, bashkë me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, do të jetë i lirë.

“Sytë e lodhur, por kurrë të dorëzuar. Rrudhat u shtuan, por mendja kurrë nuk u plak.”, shkruan Krasniqi.

Reklamë

Ai thotë se rruga e të atit nuk ka qenë e lehtë, por se ëndrra për një Kosovë të lirë u bë realitet.

“Më 16 shtator, nëse do të ketë drejtësi,
ti, bashkë me shokë, do të jetoni në liri”, shkruan ai.

Krasniqi i referohet edhe kohës së kaluar nga babai i tij në burg, duke theksuar se, sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të dashurisë që ai kishte për atdheun.

“Më 16 shtator bëhen 16 vite, 2 muaj e 1 ditë burg,
vetëm pse atdheun e deshe më shumë se veten.”

Në fund, ai shprehet se vitet e burgimit nuk ia kanë marrë Jakup Krasniqit idealin, dinjitetin dhe dashurinë për Kosovën.

Reklamë

“Koha të mori vite babë,
por nuk ta mori as idealin, as dinjitetin,
as dashurinë për Kosovën.”

Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet të shpallet më 16 shtator 2026, në Hagë.