Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, në Prishtinë një person është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Pas inicimit të rastit, ai është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.
Në Lipjan, një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje bashkëshortja ia kishte marrë dhe thyer telefonin. Palët janë intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është raportuar në Prishtinë, ku një person ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje djali i tij kishte tentuar ta sulmonte. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Fushë Kosovë, një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht vëllanë e tij pas një mosmarrëveshjeje verbale. Edhe në këtë rast, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Prishtinë, një grua ka raportuar se bashkëshorti e kishte telefonuar dhe kanosur. Ajo pas intervistimit ka shkuar te familja e saj, ndërsa i dyshuari nuk është takuar nga policia dhe ndodhet në arrati.
Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.