Lideri nacionalist i entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, lajmëroi se do të nis iniciativë për shkarkimin e ministres së jashtme të BeH-së, Biserka Turkoviç, raporton gazeta online Reporteri.net.

“Për shkak të budallallëqeve që ajo ka bërë në periudhën paraprake, do të nisim iniciativë për shkarkimin permanent të saj”, shkroi Dodik në rrjetin e tij në Twitter.

Dodik, i cili assesi që nga 24 shkurti pas invazionit rus të Ukrainës nuk ka mundur të përtyp pozicionet zyrtare të Sarajevës rreth dënimit të agresionit rus, ka qenë i zëshëm në kritika ndaj Bisera Turkoviç.

Reklamë

Ai pretendon se Presidenca trepalëshe duhet të kontrollojë politikën e jashtme, dhe se kryediplomatja boshnjake nuk ka kapacitete për të udhëhequr politikën e jashtme të BeH-së.

Dodik, i cili është anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, ka lajmëruar gjithashtu se do të udhëtojë për në Moskë në shtator të këtij viti.

Madje, pak para lajmërimit për vizitën e tij në Moskë, ai u jehoi retorikave nacionaliste për pavarësimin e ‘Republika Srpska’-s nga Bosnje-Hercegovina, shkruan Reporteri.net.

Biserka Turkoviç, si kryediplomate e Bosnjes, e ka pozicionuar vendin me botën perëndimore në dënimin dhe sanksionimin e Federatës Ruse, gjë që për Dodik ka qenë e papranueshme.

Dodik njihet për mbështetjen eksplicite të presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, dhe për zëdhënie të narrativës së Kremlinit për të ashtuquajturës “operacion special ushtarak për denazifikim të Ukrainës”.

Reklamë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e kanë vënë në listë të zezë nacionalistin Milorad Dodik.

Kujtojmë se Dodik haptazi kërkon kërkon shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës, pavarësimin e entitetit serb, riformimin e ushtrisë famëkeqe serbe të Bosnjes, tërheqjen nga të gjitha institucionet shtetërore, mohon gjenocidin e Srebrenicës, si dhe qëndron në linjat e narrativave politike të kriminelëve të dënuar të luftës, përkatësisht liderit politik Radovan Karaxhiç dhe gjeneralit famëkeq, Ratko Mlladiç./Reporteri.net/.