×
  • Lajme
  • Lajme / Veri

    Dokumentet e Milan Radoiçiqit që u gjetën në veturën e grupit terrorist

    Reporteri
    25 Shtator 2023 | 22:50
    Milan Radoiçiq

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar sot se në një nga veturat e grupit terrorist, janë gjetur dokumente që dëshmojnë përfshirjen direkte të kriminelit serb, Milan Radojiçiq, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri.

    Ai ka prezantuar një dokument, sipas të cilit Milan Rajojiçiq rezulton të jetë pajisur nga Policia e Kralevës me leje për përdorimin e gjashtë armëve të llojeve të ndryshme. Të gjitha këto leje del t’i jenë dhënë në vitin 2017.

    Pak orë pas deklaratës së Sveçlës, mediumi boshnjak “Istraga”, ka raportuar se Radojiçiq është në mesin e terroristëve. Sipas raportimeve, ai ka mbetur i plagosur dhe po trajtohet në Beograd.

    Mediumi raporton se në disa raste ka tentuar të kontaktojë me Radojiçiqin, por fillimisht një person i panjohur i cili është përgjigjur në telefonin e tij ka thënë se “nuk është Radojiçiq”, ndërsa më pas, i njëjti person ka pohuar se Radojiçiq është mirë.

    Nga ana tjetër, dokumentet e kriminelit serb nga Veriu janë gjetur dje në veturën e tipit “Mercedes G-Class”, e konfiskuar në Banjskë dhe e ekspozuar sot në kampin e Policisë “Enver Zymeri”.

    Kjo veturë dhe 23 të tjera janë lënë mbrëmë në Banjskë nga grupi terrorist pas sulmit të pandërprerë që i bënë Policisë nga orët e hershme të mëngjesit.

    “Në këto materiale kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit Millan Radoiçiq që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Ai është nënkryetar i Listës Serbe që është e bashkërenduar me Aleksandar Vuçiqin”, tha Ministri Svecla gjatë prezantimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!