×
  • Lajme
  • Lajme

    Dyshime se shumë vdekje nga COVID-19 nuk u raportuan në Kosovë

    Reporteri
    21 Janar 2022 | 23:30

    Gati 5300 vdekje të tepërta janë regjistruar në Kosovë në dy vitet e pandemisë, më 2020 dhe më 2021, në raport me mesataren 5-vjeçare, sipas disa statistikave që i ka publikuar të premten internisti Driton Vela. Kjo ka shtuar dyshimet se shumë vdekje nga COVID-19 nuk janë raportuar në vend gjatë valës së parë të COVID-19.

    Ai ka thënë se në vitin 2020 janë regjistruar mbi 2000 vdekje të tepërta apo 23 për qind më shumë në raport me mesataren pesëvjeçare. Për vitin 2021, kanë qenë 3200 vdekje të tepërta në raport me atë mesatare. Në përqindje viti 2021 ka pasur 36 për qind më shumë vdekje në raport me mesataren.

    “Edhe pse numri më i madh i vdekjeve ditore nga COVID-19 të raportuara zyrtarisht i takojnë periudhës gjatë valës delta, megjithatë, sipas Agjencisë të Regjistrit Civil numri më i madh i vdekjeve ka ndodhur gjatë valës alfa (muajt mars dhe prill 2021), gjithsej 3040 të vdekur apo rreth 100% më tepër vdekje në raport me mesataren para pandemisë për këta muaj. Këto të dhëna janë indikative për nën raportim më të theksuar të vdekjeve nga COVID-19 gjatë valës alfa”, ka shkruar ai në Facebook.

    Sot Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se janë regjistruar 2,943 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 11,563 mostrave. Shkalla e pozitivitetit nga mostrat e marra është 25.45 për qind.

    Gjatë 21 janarit, nuk u shënua asnjë rast i vdekjes.

    Autoritetet shëndetësore sot kanë njoftuar edhe se 317 persona janë shëruar derisa 12,396 persona janë ende aktivë në koronavirus.

    Vetëm në periudhën korrik-gusht 2020 ishin regjistruar gati dyfish më shumë vdekje në raport me vitet paraprake. Përderisa në korrik të 2020-s ishin regjistruar mbi 500 vdekje më shumë se një vit më herët, vetëm 196 prej tyre ishin regjistruar si vdekje nga COVID-19. Rreth 300 tjera s’kishin shpjegim. Edhe më rëndë ishte në muajin gusht. Të ngjashme pati statistika edhe për muajt tjerë në vijim.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, trendi ngritës i numrit të vdekjeve ka nisur të marrë hov të madh në vitet e pandemisë. Më 2021, deri në nëntor, sipas të dhënave preliminare të ASK-së, janë regjistruar mbi 13 mijë vdekje. Më 2020 në nivel vendi u regjistruan 12 mijë e 987 vdekje. Më 2019, në Kosovë ishin 9430 vdekje. 8998 ishte numri i vdekjeve më 2018.

    Që kur janë regjistruar rastet e para nga COVID-19, në mars të 2020-s, si pasojë e COVID-19 janë regjistruar 2997 vdekje.

    44 për qind e qytetarëve të Kosovës janë imunizuar me 2 doza të vaksinës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!