S’mund të flasim për Pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara, u shpreh ish-kryenegociatori serb në Dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç, përmes një komunikate për shtyp të Partisë serbe për Liri dhe Drejtësi referuar përmbajtjes së planit franko-gjerman, raporton gazeta online Reporteri.net.

Borko Stefanoviç, i cili është edhe Nënkryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi në Parlamentin e Serbisë, gjithashtu është deklaruar në mbështetje të daljes së serbëve nga institucionet kosovare, veprim këtë të cilin e quajti “rezultat të një numër provokimesh nga qeveria e Albin Kurtit”.

Një gjë e tillë, Stefanoviç tha se “nuk është çështje partiake, por çështje shtetërore”. Veç kësaj ai tha se Serbia duhet që përmes presionit ndërkombëtar “të sigurojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, raportoi RTV, përcjell Reporteri.net.

Reklamë
Ish-kryenegociatori serb në Dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç

Kryediplomati serb, Ivica Daçiç, ishte i pari i cili përmes pozitës zyrtare edhe të zv/kryeministrit tha se plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë.

Ai argumentoi se duke qenë se plani franko-gjerman e merr të mirëqenë Pavarësinë e Kosovës dhe kërkon anëtarësimin e plotë të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe përfundimisht edhe në OKB, kjo gjë e bën të papranueshme për Serbinë.

Edhe Aleksandar Vuçiç ka lënë të kuptojë se nuk do ta pranojë planin franko-gjerman në atë format siç i është paraqitur, duke thënë se “më ka shkaktuar kokëdhimbje, dhe nuk e kam marrë dokumentin”.

Anëtarësimin e Kosovës në OKB, Vuçiç e ka quajtur si konsolidim përfundimtar të shtetësisë së Kosovës, dhe se Serbia nuk do ta lejojë atë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër, ka thënë se dalja e serbëve nga institucionet kosovare ka të bëjë pikërisht me refuzimin e Beogradit ndaj planit franko-gjerman, dhe se ngjarjet e fundit janë veçse maskim i këtij refuzimi.

Reklamë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se e ka parë planin franko-gjerman dhe se ajo ka bazë të shëndosh për një marrëveshje, derisa edhe ka shtuar se Kosova nuk e ka lluksin ta refuzojë atë. /Reporteri.net/