Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, i cili “tradhëtoi” LDK-në tashmë po jep mesazhe se si duhet bashkuar e jo përçarë kjo parti, sigurisht duke u thirrur në frymën e ashtuquajtur Rugoviane.
Haraqija i cili vite më parë la në lloç LDK-në dhe e rivalizoi atë pasi krijoi Listën Rugova me djalin e presidentit të ndjerë ku më pas hynë në listë zgjedhore me AAK-në, ndërsa nuk flet për gabimet e veta, e drejton gishtin tek ish-kreu i LDK-së, Fatmir Sejdiu, kinse për dëmtimin e këtij subjekti.
Haraqija thotë se gabimi i kryetarit Fatmir Sejdiu ka qenë se ai e ka dëgjuar vetëm rrethin e tij të ngushtë, dhe sipas tij injoroi zërat tjerë brenda partisë.
“Nëse flasim për frymën Rugoviane, atëherë unë mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet bashkuar. Presidenti Rugova thoshte shumë shpesh se duhet zgjedhur njerëz ekzekutues”, ka deklaruar Haraqija në Klan Kosova.
Ai ka komentuar edhe synimin e Lutfi Hazirit për t’u bërë kryetar i partisë.
“Lufti Haziri vetëm në situata të jashtëzakonshme mund të depërtojë, sepse ai nuk është një person që mund t’i shkojë deri në fund”, ka deklaruar ai.
Haraqija nuk ka lënë pa e thumbuar edhe Mustafën.
“Gjithashtu ka pasur raste kur edhe Isa Mustafa ka akuzuar oponentët politik për SHIK-un, dhe më pas ka hyrë në koalicion me ta. Unë mendoj se ka kaluar koha e akuzave dhe tani duhet shikuar përpara”, ka deklaruar Haraqija. /Reporteri.net/.