Sot nga ora 11:00 do të vazhdohet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë një kandidat për postin e Kryeparlamentarit, shkruan Reporteri.net.
Në seancën e fundit, të dielën e 24 gushtit, VV-ja propozoi tre emra, fillimisht Hekuran Muratin, për herë të dytë, pasi edhe në seancën e së premtes kishte qenë i vetmi propozim i kësaj partie, si dhe pas tij Arbërie Nagavci e Dimal Basha.
Murati herën e dytë arriti të merrte veç 55 vota, dy më pak se në seancën e së premtes që mori 57, edhe Nagavci po 55, ndërsa Dimal Basha mori 57 vota.
Basha mori votë edhe nga Bekë Berisha i AAK-së, dhe Arben Gashi i LDK-së, ndërsa e gjithë PDK-ja e abstenuan.
Sipas VV-së, me seancën e së dielës u kuptua se partitë tjera nuk e kanë më problemin tek emrat, por po i bllokojnë qëllimshëm institucionet. Deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati tha se opozita kishte kërkuar kandidat që s’ka qenë në Qeverinë Kurti, e kur u propozua një i tillë, Dimal Basha, ata sërish nuk votuan.
/Reporteri.net/