Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe afaristi i suksseshëm nga mërgata, Isak Neziri, ka reaguar ndaj deklaratave të Rrustem Mustafës – Remit për mundësinë e një koalicioni mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke e kundërshtuar fuqishëm një bashkëpunim të tillë.

Përmes një reagimi në Facebook, Neziri ka kërkuar nga drejtuesit e PDK-së që të sqarojnë nëse Mustafa po flet në emër të partisë apo po shpreh qëndrimet e tij personale.
“PDK-ja dhe drejtuesit e saj duhet të dalin dhe ta sqarojnë njëherë e mirë. A po flet Remi në emër të PDK-së apo këto janë qëndrime të tij personale?”, ka shkruar Neziri.

Ai ka theksuar se një koalicion me Vetëvendosjen do të ishte një zhgënjim i madh për votuesit e PDK-së, si në Kosovë, ashtu edhe në mërgatë.

Reklamë

“Për mua, kjo ide është absolutisht zhgënjyese dhe e dëmshme për qindra mijëra votues të PDK-së, në Kosovë e në mërgatë”, ka deklaruar ai.

Neziri ka përmendur edhe dallimet historike, politike dhe ideologjike mes dy subjekteve, duke kritikuar qëndrimet e Vetëvendosjes ndaj udhëheqësve të PDK-së dhe procesit të shtetndërtimit të Kosovës.
“PDK-ja është shumë larg Vetëvendosjes, në histori, në qëndrime e në ideologji. Nuk mund të bëjmë sikur kemi harruar se si Vetëvendosja ka mohuar për vite me radhë kontributin e udhëheqësve tanë, çdo të arritur të shtetit tonë, e deri te vetë pavarësia dhe shtetësia e Kosovës”, ka shkruar Neziri.

Reagimi i Nezirit vjen pas deklaratave të fundit të Rrustem Mustafës, i cili ka konfirmuar se ka diskutuar me Albin Kurtin për mundësinë e bashkëpunimit mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Mustafa ka thënë se ideja e tij kishte gjetur interesim edhe te figura të të dyja subjekteve politike.