×
  • Lajme
  • Lajme

    Ky do të jetë fjalimi i Vasfije Krasniqit para Kongresit Amerikan: Dhunuesi im dihet, por ai ende është i lirë

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 13:51

    Vasifje Krasniqi-Goodman, sot pasdite, do të rrëfejë përpara anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Kongresit të SHBA-ve, dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës së fundit në Kosovë.


    Dy javë pasi ajo e vizitoi për herë të parë pas 20 viteve vendin ku përjetoi tmerrin nga ana e disa paramilitarëve serb, në prill të vitit 1999, Vasfija do të mbajë fjalimin e saj të paralajmëruar në Kongresin amerikan mbi temën “Viktimat e luftës në Kosovë: Kërkimi për drejtësi”.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar fjalimin e plotë të Krasniqi-Goodman, dhe ua sjell atë të plotë, të përkthyer në gjuhen shqipe.

    Natyrisht, ky fjalim i kësaj zonje Heroinë, para kongresit amerikan do të jetë në gjuhen angleze.

    Përveç krimit të vitit 1999, Vasfija në fjalimin e saj do të tregojë në kongresin e SHBA-ve se di ajo dhe drejtësia e dinë se kush kreu përdhunimin e saj në luftë, por kurrë nuk u dënuan.

    “Autori i këtij krimi u identifikua. Megjithatë, kanë kaluar njëzet vite dhe drejtësia vazhdon të dështojë. Torturuesi im nuk është duke mbajtur përgjegjësi për krimet e tij dhe ende është i lirë”, thotë Vasfija në fjalimin e saj.

    Dëshmia e Vasfije Krasniqi – Goodman përpara anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Kongresit të SHBA-ve është e paraparë të dëgjohet në orën 16:00, sipas kohës tonë lokale, shkruan Reporteri.net.

    Vasfije Krasniqi-Goodman, që sot jeton në SHBA, është e vetmja nga rreth 20 mijë viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, e cila ka dalë publikisht dhe ka treguar për krimin që forcat serbe kryen ndaj saj më 13 prill 1999.

    Ky do të jetë fjalimi i saj i plotë:

    I nderuar kryetar Engel,

    Anëtar i nderuar McCaul,

    Anëtarë të nderuar të Komitetit për Punë të Jashtme,

    Zonja dhe zotërinj,

    Ju faleminderit shumë që më keni dhënë nderin të ndaj sot historinë time me ju. Shpresoj se përmes këtij rrëfimi do të hedh dritë mbi dimensionin njerëzor të çështjeve që po diskutohen sot këtu.

    Më 14 prill 1999, kur isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, një oficer i policisë serbe hyri në shtëpinë time. Ai po kërkonte babanë dhe vëllezërit e mi. Megjithatë, ata nuk ishin në shtëpi. Unë  isha aty vetëm me nënën, hallën dhe dy kushërinjtë e mi. Policia na tha t’u tregonim atyre kartat e identitetit. Pasi i hodhi një sy letërnjoftimit tim, ai e mbajti atë dhe më tha se duhej të shkoj në stacionin e policisë me të për të dhënë një deklaratë për burrat e shtëpisë sonë. Në atë moment, xhaxhai im doli nga shtëpia e tij, erdhi dhe i pyeti: “Pse po e merrni vajzën tonë?” Polici tha se nëse dikush lëvizë, do të qëllonte mbi të gjithë. Nëna ime kërkoi që ta merrnin atë në vendin tim. “Jo, ajo është vetëm një fëmijë”, u përgjigj polici, “prandaj  ajo nuk do të gënjejë për vendndodhjen e të atit dhe të vëllezërve të saj”.  Oficeri i policisë serbe më largoi nga duart e nënës dhe më çoi në një fshat serb aty afër. Më dërgoi drejt  një shtëpie të zbrazët, jashtë rrugës kryesore dhe më hodhi në një grumbull misri të tharë të grumbullar përballë shtëpisë. Fillova të bërtisja. Bërtita nga brendësia e mushkërive të mia. Atëherë më dërgoi në makinën e tij dhe filloi të më përdhunonjë.  Më mbajti armën në kokë, më abuzoi dhe më përdhunoi në mënyrë të përsëritur. Unë isha e shokuar dhe e rraskapitur saqë humba vetëdijen. Kur mu kthye vetëdija fillova të qaj pa kontroll duke e lutur të më vrasë.

    Jo. Nuk do ta bëj këtë sepse kështu do të vuash më shumë”, tha.  Sinqerisht, unë kam vuajtur shumë. Më kujtohet se kishte një fashë në dorën e majtë dhe më tha se UÇK-ja kishte qëlluar, kështu që tani ai do të hakmerrej tek unë. Sa herë që bërtisja më kërcënonte se do të më çonte në një zonë plotë oficerë serbë, ku siç tha ai më shumë njerëz do të përdhunonin. Kur mbaroi punë me mua, ai hyri në një dyqan lokal dhe më la vetëm në makinë. E dija se fshati ishte i banuar kryesisht me serbë, prandaj nuk guxoja të bëja ndonjë lëvizje. Menjëherë pasi polici u largua, një burrë i moshuar doli nga dyqani i njëjtë dhe eci drejt meje. Më detyroi të dilja nga makina dhe më çoi në një shtëpi që nuk ishte përfunduar ende. E mbaj mend atë njeri,  ishte i vjetër dhe i gjymtuar. Atje, në atë shtëpi ai njeri më dhunoi. Disa orë më vonë unë isha kthyer në fshatin tim dhe isha lënë në rrugë. Ata më thanë të mos i tregoja askujt për atë që kishte ndodhur. Në vend të kësaj, duhej të thosha se kisha qenë në stacionin e policisë gjatë gjithë kohës, duke dhënë  deklaratë për vendndodhjen e babait dhe vëllezërve të mi. Po ecja nëpër varrezat e fshatit duke shpresuar që jeta ime të përfundonte pikërisht atje. Nuk doja të shkoja në shtëpi dhe t’u shpjegoja të gjithëve çfarë kishte ndodhur. Megjithatë, disa arrita deri në shtëpinë e xhaxhait tim. Sapo arrita atje nuk kisha pse të thosha asnjë fjalë. Gjykuar në gjendjen në të cilën isha, të gjithë e dinin se çfarë kishte ndodhur. Askush nuk merr një fëmijë gjashtëmbëdhjetë vjeçar në stacionin e policisë dhe e mban ato atje për orë të tëra duke e kthyer në shtëpinë e tij të gërvishtur, të lënduar, të prerë dhe të shqyer. Ditën tjetër, e raportova rastin tim tek UÇK-ja. Më vonë  edhe në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Unë gjithashtu raportova gjithçka edhe tek Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

    Autori i këtij krimi u identifikua. Megjithatë, kanë kaluar njëzet vite dhe drejtësia vazhdon të dështojë. Torturuesi im nuk është duke mbajtur përgjegjësi për krimet e tij dhe ende është i lirë. Janë njëzet mijë gra dhe burra që u mbijetuan krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Të gjithë ata duan drejtësi. Gjithçka që dua është drejtësia. Edhe pse sot jetoj një jetë të lumtur në Teksas si një nënë krenare e dy vajzave që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara dhe fatmirësisht kurrë nuk do të duhet të hasin në tmerret që kam përjetuar unë, kurrë nuk do të kem paqe të vërtetë me të kaluarën time derisa drejtësia të triumfojë. Kështu, sot u bëj thirrje përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara që të adresojnë mosndëshkimin e krimeve të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut që janë kryer në Kosovë duke ndërmarrë veprime të menjëhershme për të kërkuar drejtësi për viktimat.

    Faleminderit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!