Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 6 gusht është realizuar ekstradimi nga Spanja në Kosovë i një shtetasi kosovar, i cili kërkohej me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it.

Sipas burimeve të Gazetës Online Reporteri.net, i ekstraduari është Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Reklamë

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 06.08.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Spanja për në Kosovë. I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale ‘Vrasje e mbetur në tentativë’”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve spanjolle.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive kompetente të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për gjurmimin, arrestimin dhe ekstradimin e personave të kërkuar për vepra penale.

Reklamë

Dukagjin Nikollaj, i njohur si “Duka”, u arrestua në Spanjë në prill të vitit 2025, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar. Ai dyshohet për përfshirje në përleshjen me armë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku një person mbeti i vdekur dhe disa të tjerë u plagosën.

“Duka”, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës në gusht të vitit 2023, për rastin në Bon Vivant. Ai dyshohet se është ndër personat kyç që u përfshinë në përleshjen me armë në lokalin në mes të Prishtinës.

Ai po kërkohej për “Vrasje të rënde në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Gjatë këtij incidenti mbeti i vdekur Kastriot Ramadani, si dhe u plagosën e lënduan 20 persona tjerë.

Reklamë

Duka dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, Andi Pajazitin.

Përveç dyshimit se ishte përfshirë në ngjarjen në Prishtinë, “Duka” ka të kaluar kriminale edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi rezulton një prej shqiptarëve më të kërkuar nga FBI.

Dukagjin Nikollaj, sipas Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), dyshohet të jetë i përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marijuanës nga Kanada dhe shpërndarjen e tyre në zonën e New Yorkut.

“Duka” thuhet të jetë pjesëtarë i organizatës kriminale “Krasniqi Organization”, të dyshuar për trafikim droge dhe vrasje.

Reklamë

Urdhër arresti për “Dukën” është lëshuar në maj të vitit 2010 nën akuzat për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ai ka kontrolluar rrethin e drogës nga viti 2003 deri në vitin 2007.

Sipas FBI ai dyshohet të jetë i përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marijuanës nga Kanada dhe shpërndarjen në zonën e Nju Jorkut.