×
  • Lajme
  • Lajme

    Elvis Hoxha s’i heq lentet e zeza, grevën e mësimdhënësve e lidh me agjendë anti-shqiptare

    Reporteri
    02 Shtator 2022 | 11:06
    Elvis Hoxha, këshilltar i Albin Kurtit

    Mësimdhënësit grevistë të cilët kanë halle konkrete, krizën ekonomike dhe inflacionin prej 20% të gjërave elementare ushqimore, Elvis Hoxha i cilësoi si të mashtruar nga agjenda abstrakte anti-shqiptare, ndonëse për nga formimi ideologjik i majtë i tij supozohet se do të duhej të anonte nga veprimi sindikal dhe mirëqenia e punëtorëve, transmeton gazeta online “Reporteri.net”.

    Me shije të hidhët në secilin konstatim, ky këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, thotë se “është e dhimbshme pjesëmarrja e mësuesve në grevë që për shef ka anëtarin e partisë serbe”, duke nënkuptuar kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

    Duke e ngjyruar edhe me semi-konspiracione anti-shqiptare brenda rreshtave, Hoxha thotë se “nuk është aspak e çuditshme që Rahman Jashari përdor grevën e mësuesve pikërisht kur duhet të forcohet sovranitetit në veri”.

    Për t’i dhënë kreshendo edhe më tej konstatimeve morbide të tij, “janë po të njëjtët që e duan bashkimin e shqiptarëve vetëm si bashkim bandash dhe krimi të organizuar”.

    Madje, e personalizon edhe veten në konstatime se gjoja “sa herë, përgjatë këtyre viteve të aktivizmit në Kosovë, kam përmendur me emër Hashimin, Ramushin dhe Isën, kanë qenë të shumë ata që më kanë thënë se shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë punë në Kosovë”.

    Ideologu i VV-së pretendon edhe se “një gjë dihet më siguri”.

    “Ndarja mes shqiptarëve vjen ose nga agjenturat, ose nga korrupsionit  ose nga pushtimi. Të tre këta fenomene ne i kemi lejuar vetë. Kur nuk jemi të pushtuar, jemi të korruptuar. Gjithnjë kemi pasur mes nesh njerëz që korruptohen ose që ndihmojnë pushtimin dhe korruptimin”.

    Nuk la as pa parë vrima të zeza për shqiptarët në iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur, që sipas tij, është “Ballkan i Kapur”.

    “Ballkani i Kapur është projekt turistik për serbët dhe izolues për shqiptarët”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!