×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    “Era dallavere e kurdisje” në tenderin 28 milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës – kompanive u mbetet veç e mërkura për ankesë

    Reporteri
    29 Dhjetor 2023 | 19:41
    Zëvendësministri Hysen Durmishi dhe Ministri Liburn Aliu / Foto ilustrim nga arkiva

    Vetëm pak më shumë sesa një orë para përfundimit të orarit zyrtar të punës të së premtes, kur katër ditët e ardhme janë ditë pushimi, Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga dyshja e famshme Librun Aliu e Hysen Durmishi ka njoftuar për dhënien e tenderit mbi 28 milionë Euro, në katër lote, për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë-Dollc, që lidhë Prishtinën me Pejën. Procedurat për aplikimin në këtë tender kanë përfunduar fiks qysh para 238 ditëve, më 4 maj 2023, raporton gazeta online Reporteri.net. 

    Një rast i paprecedent, ka ndodhur të premten në Ministrinë e Infrastrukturës. Prokurimi i këtij dikasteri qeveritar të udhëhequr nga Librun Aliu e Hysen Durmishi të LVV’së, pas mbi 7 muaj “vlerësim” kanë njoftuar për dhënien e kontratës në lidhje me projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc,Loti 1,2,3,4”.

    Ndonëse, Rregullorja nr. 01/2022 për Prokurim Publik parasheh se “procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, dhe nxjerrja e njoftimit mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues, do të duhet të kryhet brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave”, vlerësimi për projektin e parashikuar deri në 32 milionë Euro të Ministrisë së Infrastrukturës ka zgjatur fiks 238 ditë.

    Afati i fundit për dorëzimin e dosjeve në këtë tender ka përfunduar pak para verës së këtij viti që po e lëmë pas, më 04 maj 2023.

    Rregullorja për Prokurimin Publik parasheh se “vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara, në veçanti për kontratat e një natyre komplekse, kjo periudhë mund të zgjatet për një afat shtesë prej 20 ditësh” dhe se “procesi i vlerësimit të tenderit do të fillojë menjëherë pas përfundimit të procesit të hapjes së tenderëve”.

    Sikur të mos mjaftonte vonesa e dyshimtë për kurdisje, autoriteti kontraktues, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës, njoftimin e kompanive për dhënin e kontratës e ka bërë të premten e 29 dhjetorit 2023, pak para orës 15:00 – më saktësisht në ora 14:42, ndonëse dokumenti tregon se autoriteti kontraktues vendimin e ka nënshkruar qysh të enjten, me 27 dhjetor 2023, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Hilja” e krejt kësaj është se vikendi, plus dy ditët e para të javës së ardhshme – 1 dhe 2 janar 2024, janë ditë feste e pushimi për Vitin e Ri.

    Afati për ankesë të kompanive konkurruese në këtë tender që buxhetit të shtetit do t’i kushtojë mbi 28 milionë Euro, sikurse për çdo tender tjetër, është vetëm 5 ditë, duke u llogaritur këtu edhe ditët e pushimit apo festave zyrtare.

    Rrjedhimisht, për tenderin në fjalë, dhënia e kontratave për të cilin është njoftuar sot pak më shumë se një orë para përfundimit të orarit zyrtar, operatoreve ekonomik që mund të kenë ndonjë ankesë u mbetet veç 7 orë të orarit zyrtar të ditës së mërkure për t’i analizuar dhe përpiluar ankesat e tyre.

    Vetëm të mërkurën, e 3 janarit 2024, pas orës 8 kur fillon orari zyrtar i punës, kompanitë pjesëmarrëse në tenderin për zgjedhimin e rrugës Nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc, Loti 1,2,3,4, do të mund të qasen në dokumentacionin e kompanive fituese, që t’i shfletojnë ato dhe t’i evidentojnë shkeljet eventuale që mund të jenë bërë gjatë vlerësimi. Po ashtu, të njëjtën ditë, nga fillimi i orarit zyrtar e vetëm deri në ora 14:42, operatoret ekonomik që kanë ofertuar në këtë tender kanë mundësinë e përpilimit të ankesave të tyre në rast se ndonjë nga fituesit në 4 lotët nuk ka përmbushur kriteret e tenderit. Ankesat e tyre duhet të përfshijnë edhe raportin e tyre me te gjeturat dhe shkeljet e evidentuara nga ankimuesi.

    Ndryshe, në njoftimin mbi vendimin e autoritetit kontraktues, në këtë rast të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i nënshkruar nga shefi i ri i prokurimit Shefqet Emerllahu me 27 dhjetor 2023, e i publikuar tek të premten, fituese të tenderit për zgjerimin e segmenti të rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë janë 4 konserciume të ndryshme në katër lotet e saj.

    Nga 4 lotët për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë-Dollc, më së shumti buxhetit të shtetit do t’i kushtojë ai i fundit, i shpallur fitues konzerciumi “Famis CO-HC SHA”, “KIT-AK Gradnje d.o.o” dhe “KAG – Asphalt Company”, raporton gazeta online Reporteri.net. Ky lot është dhënë në vlerën mbi 9.3 milionë Euro.

    Pas tij, më së shumti, do të kushtojë loti i parë, mbi 7.3 milionë Euro, i dhënë për konzerciumin “R & Rukolli”, “SABA Belca Dega në Kosovë”, “Elmazaj Konstruksion” dhe “Tekno-Konstukt SH.P.K.”.

    Mbi 6.2 milionë, respektivisht mbi 5.4 milionë, janë dhënë lotët 2, respektivisht 3. Për të parin fitues është shpallur konserciumi “EMPRUEUS SH.P.K.”, “Jaha Company sh.p.k.”, “Premium-ks SH.P.K.”, “Toifor Sh.p.k.”, “NNT ABC SH.P.K.” dhe “METAF INSAAT TICARET A.S.”; ndërsa për të dytin konzerciumi “Lika Trade Sh.p.k”, “TOFI doo”, dhe “Lika Company”.

    Në garë, për 4 lotët, sipas procesverbalit të hapjes së tenderit kanë qenë 83 kompani/konzerciume, derisa vetëm 26 kishin arritur të futen në vlerësim. /Reporteri.net/.

    Manipulimi i Hysen Durmishit me vendimin kontradiktor të OSHP’së, thotë se është në favor të Ministrisë, por i fsheh faqet ku tregohen shkeljet ligjore gjatë tenderimit

    OSHP evidentoi se Nexhat Krasniqi kreu shkelje në dhënien e tenderit për rrugën Prishtinë-Podujevë, urdhëroi marrjen e masave ndaj tij

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!