×
  • Lajme
  • Lajme / DOKUMENT

    OSHP evidentoi se Nexhat Krasniqi kreu shkelje në dhënien e tenderit për rrugën Prishtinë-Podujevë, urdhëroi marrjen e masave ndaj tij

    Reporteri
    08 Dhjetor 2023 | 16:59

    Organi Shqyrtues i Prokurorimit ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që t’ia revokojë certifikatën Zyrtarit Përgjegjës të Prokurorimit në MMPHI.

    Kjo pasi sipas vendimit të fundit të OSHP’së, konstatohen parregullsi dhe shkelje të mëdha në dhënien e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Besi-Podujevë.

    Megjithatë, përkundër këtyre shkeljeve, OSHP në vendimin e tij ka refuzuar ankesën e operatorit ekonomik “Sallahu” ndaj “Vendimit për dhënie të një kontratë ose të një konkursi të projektimit, “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë- Besi – Podujevë, Loti 0,1, 2, 3 dhe strukturat Lot 5” me numër të prokurimit 205-23-21-5-1-1”, iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës, pasi paneli shqyrtues i OSHP’së vlerësoi se lënia në fuqi e kontratës në fjalë është në interesin publik.

    Njoftimi për dhënien e kontratës për të gjitha lotët u krye në qershor të këtij viti, kur edhe u nënshkrua kontrata. Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro.

    “Paneli konsideron se megjithatë AK nuk ka vepruar në harmoni me kërkesat e nenit 112 (efekti pezullues i ankesave) dhe se në ketë rast gjen zbatimi aplikimi i masave ndëshkimore ndaj AK në kuptim të nenit 105, paragrafët (2.1; 2.2; 2.15) të LPP sipas të cilit OSHP ka kompetenca, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të këtij ligji dhe të hetojnë dhe të përcaktojnë faktet që kanë shkaktuar ankesat e tilla, lidhur me nenin 25, paragrafi 9, të LPP sipas të cilit “në bazë të një kërkese nga një autoritet kontraktues ose OSHP, KRPP-ja vendos nëse janë plotësuar kushtet e kualifikimit të specifikuara në nenin 23 apo janë bërë shkelje të rënda të këtij ligji ose rregullave të prokurimit për një certifikatë profesionale të prokurimit””, thotë vendimi i OSHP’së që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.

    Neni 23 krijon efekt detyrues, andaj, sipas vendimi të OSHP’së, nënshkrimi i një kontrate përkundër afatit dhe/ose efektit pezullues me rastin e ushtrimit të një ankese, përbën së paku mungesë të etikës profesionale.

    Për këtë, OSHP’ja ka kërkuar përmes vendimit të njëjtë që “të iniciohet procedura për revokim të certifikatës ndaj Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit, për shkak të shkeljeve të evidentuara si më poshtë në arsyetimin e këtij vendimi, konform paragrafit 9, neni 25, i LPP”.

    Zyrtarit Përgjegjës i Prokurimit në MMPHI, në kohën kur është dhënë tenderi në fjalë për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujeve ka qenë Nexhat Krasniqi i njohur si “Baba i Tenderëve”.

    Megjithatë, më pak se një javë nga vendimi i OSHP’së, Ministria e Infrastrukturës veç se kishte njoftuar se Krasniqin e ka larguar krejtësisht nga Shërbimi Civil. Por jo për shkak të shkeljeve të tij si shef i Prokurorimit, por pas sanksionimit të “Babës së Tenderëve” dhe familjes së tij nga SHBA’ja për shkak të përfshirjes së Krasniqit në “korrupsion të madh”.

    Nexhat Krasniqi u përfshi në listën e zezë të SHBA’së më nëntor 2023. Ai ishte drejtor i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës deri atë ditë. Në MMPHI, po të njëjtën ditë u pezullua, porse u rikthye në punë disa ditë më vonë. Nga detyra e drejtorit të Divizionit të Prokurimit, atij iu ndërrua pozita në drejtor të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, që ishte më e lartë sesa pozita paraprake.

    Tek më 21 nëntor 2023, Komisioni Disiplinor e përjashtoi atë nga shërbimi civil, si masë disiplinore.

    “Duke pasur parasysh së z. Nexhat Krasniq ka qenë i dënuar nga Gjykata kompetente si ish zyrtar i prokurorimit në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë për korrupsion, konsiderojmë se kjo çështje duhet të trajtohet edhe nga aspekti i përgjegjësisë disiplinore dhe për këtë duhet të shqiptohet masa disiplinore sepse kjo në fakt paraqet edhe shkelje të përgjegjësive dhe të detyrave të punës dhe është shkelur nënparagrafi 7 i paragrafi 4 i nenit 56, sjelle e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil nga z. Nexhat Krasniqi”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 21 nëntor 2023, të cilin e kishte siguruar gazeta online Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!