×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar: Asociacioni nuk varet nga Kurti, do të bëhet edhe nëse ai nuk do – është çështje mes Kosovës dhe Serbisë

    Reporteri
    06 Qershor 2023 | 9:30

    I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po kërkon që Kosova të dalë shpejt me një propozim për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një intervistë dhënë për gazetën austrike “Die Presse”, emisari amerikan ka thënë se Asociacioni është angazhim ndërkombëtar, ligjërisht i detyrueshëm.

    Escobar thotë se Kosova duhet të japë një ide se çfarë dëshiron lidhur me Asociacionin, pasi siç theksoi ai atë se çfarë nuk do tanimë e dinë, dhe se pret që t’i jepet një projekt-marrëveshje lidhur me të.

    “Kjo nuk do të jetë një republikë e re serbe si Bosnja dhe Hercegovina. Themelimi i Asociacionit Serb të Komunave në Kosovë është një angazhim ndërkombëtar, ligjërisht i detyrueshëm. Ato përmenden në Marrëveshjen e Brukselit, Konkluzionet e Këshillit Evropian dhe Marrëveshjen e Ohrit. Dhe ka gjithashtu një angazhim të SHBA-së për këtë. Pra, Asociacioni Serb i Komunave duhet të vijë. Pyetja është: Si do të duket? Nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Serbe si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan. Ne jemi duke pritur për këtë. Kosova duhet të lëvizë menjëherë këtu dhe të na japë një projekt-marrëveshje”, tha Escobar.

    Rreth asaj se “Kurti nuk e do formimin e Asociacionit”, Escobar ka thënë se kjo nuk varet nga ai, pasi është çështje mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Nuk varet nga ai. Kjo nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Kjo është një çështje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, kjo shoqatë e komunitetit do të bëhet. Pyetja është: a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?”, shtoi tutje Escobar./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!