×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar i fton për ‘darkë pune’ opozitarët Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj

    Reporteri
    22 Gusht 2022 | 16:46

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Emisari amerikan i ngarkuar me çështje të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, në vizitën e tij në Prishtinë, do të takojë edhe përfaqësuesit politikë opozitarë të Kosovës. Escobar në Prishtinë vjen së bashku me emisarin fascilitues të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, shkruan Reporteri.net.

    Takimi i Escobar me opozitarët kosovarë do të zhvillohet në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, si darkë pune.

    Ftesa për këtë darkë që do të zhvillohet në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, u ka shkuar tashmë të tre liderëve opozitarë, tregojnë burimet e Gazetës Online Reporteri.net.

    Veçmas për ftesën e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net një burim i afërt me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin.

    E se ftesë ka marrë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka treguar Gazetës Online Reporteri.net edhe anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Sibel Halimi.

    Përveç darkës, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, tha se kryetari i saj do të ketë edhe takim ndaras me dy emisarët.

    “Vlerësojmë rolin e BE-së dhe angazhimin e ShBA-ve në dialog. Duke ndjekur agjendën e paraparë, LDK do të takojë përfaqësuesit në fjalë, respektivisht z. Escobar dhe z. Lajçak. Përpos darkës, do të ketë edhe takime të tjera”, tha Halimi për Reporteri.net.

    Ftesë për këtë ngjarje gjithashtu ka pranuar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Escobar dhe Lajçak të marten arrijnë në Prishtinë. Pas darkës së punës me opozitën, të mërkurën dyshja-emisare pritet të takohen edhe me krerët shtetërorë.

    Siç ka raportuar “Radio Evropa e Lirë” Escobar dhe Lajçak pas qëndrimit në Prishtinë, do të vazhdojnë për në Beograd. Sipas këtyre burimeve, ata do të bëjnë përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave dhe të dokumenteve serbe. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!