×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar për Asociacionin: Është detyrim ndërkombëtar nga i cili një politikan dhe parti e vetme nuk mund të largohet

    Reporteri
    13 Dhjetor 2022 | 18:00
    Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Fotografi nga arkivi.

    “Gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Për Asociacionin, Escobar tha se “duhet të punohet menjëherë”, pyetur se a duhet të formohet para një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai tha se është një detyrim ndërkombëtar nga i cili një parti ose politikan i vetëm nuk mund të largohet dhe se kontributi i ShBA-së në proces do të jetë i ndërlidhur me formimin e këtij Asociacioni.

    “Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”, tha Escobar.

    “Unë i kam thënë komunitetit [serb] se jam i hapur t’i dëgjoj shqetësimet e tyre. Ata kanë disa shqetësime legjitime. Ne, po ashtu, po kërkojmë mënyra për ta ndihmuar këtë qeveri që të forcojë pozicionin e saj në shumë gjëra”.

    “Por, gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm”, tha ai për REL.

    Escobar: Barrikadat të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato, Kosova të lejojë kthimin e serbëve të larguar nga institucionet

    “Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”.

    Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Escobar e sheh si urë lidhëse e afrimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe minoritetit serb.

    “Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar”.

    “Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës”.

    “Unë e shoh këtë si mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës”.

    Escobar mohoi mundësinë e një entiteti si “Republika Srpska”, derisa tha se Asociacioni duhet bërë asisoji “që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”./Reporteri.net/

    Escobar: SHBA kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, garantojmë për sigurinë e vendit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!