×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar: SHBA kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, garantojmë për sigurinë e vendit

    Reporteri
    13 Dhjetor 2022 | 16:57
    Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, që Serbia ka paralajmëruar se do ta kërkojë nga KFOR-i.

    “Ne e hedhim poshtë këtë kategorikisht. Ne nuk e mbështesim ketë fare”, tha prerazi Escobar në pyetjen e Radion Evropa e Lirë rreth kërcënimit të Vucicit.

    “Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja”, tha emisari amerikan në intervistën e realizuar në Prishtinë, ku po vazhdon të qëndrojë Escobar tash e tre ditë.

    Cili do të ishte reagimi i SHBA-së nëse Beogradi vërtetë do ta ndërmerrte një inkursion të armatosur në veri? Ecobar përgjigjet: “E para këtë nuk e pres. E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR”.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke u thirrur në Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit, ka thënë se do t’i dërgojë kërkesë zyrtare KFOR-it më 15 dhjetor për kthimin e rreth një mijë trupave ushtarake serbe në Kosovë, për gjoja mbrojtjen e sigurisë së serbëve të Kosovës.

    I menjëhershëm kishte qenë reagimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e quajti “kërcënim të hapur për agresion policor dhe ushtarak” nga Serbia.

    “Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”, kishte reaguar Vjosa Osmani.

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ishte e para nga bashkësia ndërkombëtare e cila e quajti “krejtësisht të papranueshme” këtë kërkesë të Serbisë për “rikthim” të forcave serbe.

    I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, në një konferencë për media lajmëroi se Serbia ishte duke e shqyrtuar kthimin e rreth një mijë trupave, duke u thirrur në Pikat 4 dhe 6 të Aneksit 2 të Rezolutës 12/44.

    Me Marrëshjen e Kumanovës, ndryshe të quajtur edhe marrëveshja tekniko-ushtarake, e vitit 1999, Serbia ka nënshkruar kapitullimin dhe tërheqjen përfundimtare të ushtrisë së saj, pas 77 ditëve të fushatës ajrore të NATO-s kundër spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj popullatës civile shqitpare që po kryhej nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia po provon të kthejë atë që para 23 vitesh e kishte humbur me luftë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!