Paralajmërimet amerikane për ftohjen e raporteve me Qeverinë e Kosovës, tashmë po shfaqen edhe publikisht.
Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar i cili zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, u shfaq shumë i afërt me presidenten Vjosa Osmani. Me presidenten e Kosovës mbajti konferencë të përbashkët. Osmanin e quajti “gardiane të marrëdhënieve Kosovë-SHBA”. Por, Escobari qasje të njëjtë nuk kishte edhe me kryeministrin Albin Kurti, të cilin e takoi të fundit, shkruan gazeta online Reporteri.net. Madje, Escobar ndonëse qëndroi dy orë në takim me Kurtin, në fund doli vetëm me ambasadorin amerikan para gazetarëve kosovarë. Edhe, kur doli tha se vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit në Kosovë është “çështje emergjente humanitare”.
“Do të vazhdojmë në këtë çështje, por është çështje emergjente humanitare që duhet menjëherë të adresohet. Dhe shpresoj që qeveria të jetë e përgatitur të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën”, ka thënë ai të enjten pasdite.
Emisari amerikan, para gazetarëve i kërkoi Kurtit që ta adresojë menjëherë çështjen e dinarit.
Escobar e përsëriti edhe nga Prishtina se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë duke u sfiduar.
“SHBA-ja mbetet partnerja më e përkushtuar e Kosovës. Por duhet të pranoj se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash. Të jemi të sinqertë, këto sfida kanë të bëjë me mënyrën se si qeveria po trajton serbët e Kosovës tash. Është fatkeqe pse duhet të merremi me këtë. Por, dinari, vendimi i BQK-së ka krijuar vështirësi të njëmenda për disa qytetarë të Kosovës. Jemi shumë të shqetësuar”, ka thënë ai.
Ai u shpreh se pati një diskutim të mirë me Kurtin, dhe deklaroi se Kurti ka pranauar që ti shikojë disa nga propozimet që ia ka bërë në takimin e së enjtes.
“Mund të them që patëm diskutim shumë të mirë. Dhe ia bëra të qartë se askush nuk mund të dëgjojë tregimet nga disa prej anëtarëve më të cënueshëm të këtij komuniteti që janë njerëzit me aftësi të kufizuara, studentët, nuk mund të mos prekesh (ndjeshmërisht) nga tregimet e tyre se si ky vendim i ka prekur ata. KM e kuptoi këtë dhe premtoi se do të shikojë disa prej propozimeve që ia bëra sot”, tha mes tjerash ai.
Escobar tha se SHBA-ja ka qëndruar pranë Kosovës në vazhdimësi në të gjitha situatat, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, blerjen e anti-tankëve Javelin e zgjedhjet në veri.
“T’ju them se gjithçka që kemi bërë vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës. Menjëherë pas Ohrit e mbështetëm kandidaturën tuaj për KiE, mbështetëm proceset demokratike përfshirë zgjedhjet në veri; qëndruam prapa jush pas sulmit të 24 shtatorit dhe ju mbështetëm për Javelinët. Pra, shpjegomani ju mua se si kjo qenka e pabalancuar? Përnjëmend nuk është. Gjithçka që kemi bërë është në favor të Kosovës. Dhe do ta vazhdojmë këtë. Shpresojmë që ndërkohë edhe Kosova të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo s’do të duhej të ishte e vështirë se pse këta janë qytetarë të Kosovës”, tha ai.
Escobar gjithashtu ka paralajmëruar se të martën do të ketë dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel, madje sipas tij aty ShBA shpreson që Qeveria të jetë fleksibile sa I përket diskutimit për çështjen e dinarit të cilën e çuajti emergjence humanitare.
“Do të vazhdojmë në këtë çështje, por është çështje emergjente humanitare që duhet menjëherë të adresohet. Dhe shpresoj që qeveria të jetë e përgatitur të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën”, tha ai.
Ndërkohë, Kurti i cili nuk doli në konferencë e komentoi takimin vetëm në rrjetin “X”.
Në një postim në rrjetin social “X”, ish-Twitter, kryeministri ka thënë se ka informuar Escobarin për hapat që ka marrë qeveria e tij për të përkrahur tranzicionin për rregulloren e Bankës Qendrore. Ai ka shkruar se i ka treguar Escobarit për gatishmërinë që ka qeveria për të adresuar çështjet e vazhdueshme rreth ndalimit të dinarit.
“Kënaqësi të takojë emisarin Escobar. E falënderova atë për përkrahjen amerikane dhe theksova nevojën për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulmin në Banjskë. Gjithashtu e informova për hapat që ka marrë qeveria në përkrahje të tranzicionit për rregulloren dhe i shpreha gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet e vazhdueshme”, ka shkruar Kurti.
Great to meet w/ @StateDept DAS Escobar. Thanked him for 🇺🇲’s support and stressed the need to hold Serbia accountable for the Banjska attack. Also informed him of steps our govt has taken to support the transition of @centralbank_ks reg & our readiness to address ongoing issues. pic.twitter.com/hjUsIgJZQF
— Albin Kurti (@albinkurti) March 14, 2024