×
  • Lajme
  • Lajme

    ESI: Ideja për ndarjen e Kosovës u ngjall nga njeriu i Trumpit, BE ta parandalojë

    Reporteri
    26 Prill 2019 | 11:41

    Think-tanku evropian “Iniciativa Evropiane për Stabilitet” (ESI), ka publikuar një raport të gjatë 35 faqesh në të cilin flitet në mënyrë të detajuar për idenë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rrugë për arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet dy shteteve.


    Në këtë raport vihet në pah, se një ideja për korrigjim të kufijve është origjinale serbe, për të cilën politikanët serb kishin filluar të flisnin qysh në vitin 2011.

    “Tani ata na tregojnë histori rreth Kosovës multietnike? Njerëzit tanë nuk kanë nevojë për përralla të tilla për shoqëritë multietnike”, kishtë deklaruar Ivica Daçiq në vitin 2011.

    Ndërkohë shtatë vite më vonë, Daçiq kishte treguar hapur se Serbia synon ndarjen e Kosovës, si zgjidhja e vetme e mundshme

    “Unë kam folur për ndajrn [e Kosovës] për dhjetë, pesëmbëdhjetë vitet e fundit dhe mendoj se është zgjidhja e vetme e mundshme dhe e shpejtë “, ka thënë kreu i diplomacisë serbe në vitin 2018.

    Në këtë raport gjithashtu janë renditur edhe të gjithë deklaratat e mbështetësve të kësaj ideje

    “Ne jemi duke luftuar për popullin tonë dhe për shtetin.. nëse ne mund të marrin qoftë edhe një metër prapë, do të jetë një fitore, sepse tani s’kemi asgjë”, kishte thënë presidenti serb, Aleksander Vuçiq në qershor të vitit 2018.

    Për ndarje të Kosovës më herët se krerët e shtetit serb, kishte folur në vitin 2008 ,John Bolton, tashmë këshilltar i presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

    “Ndarja e mëtejshme e Kosovës është gjëja e duhur për të bërë, të paktën në zonat me shumicë serbe që kufizohen me Serbinë Jugore. Do të pasqyronte realitetin etnik dhe politik në terren”, citohet të ketë thënë Bolton në këtë raport të ESI.

    Ndërkohë dhjetë vite më vonë, Bolton thotë se SHBA-ja sa i përket arritjes së marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk përjashton as korrigjimin e kufijve.

    “Nëse dy palët mund të merren vesh për të dhe të arrijnë marrëveshje, ne nuk përjashtojmë as ndryshimet e kufijve”, ka thënë Bolton në gushtin e vitit 2018, shkruan Gazeta Express.

    Në këtë raport gjithashtu janë përfshirë edhe deklaratat presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me atë që kanë thënë për idenë e korrigjimit të kufijve.

    Presidenti i Kosovës thoshte që me korrigjim të kufijve, Kosova do të merrte tre komunat e mëdha të Kosovës Lindore, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, ndërsa Kosova nuk do të jepte asgjë në këmbim për Serbinë.

    “Ideja ime është një korrigjim i kufirit dhe bashkim i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Asnjë pjesë që i përket Kosovës, Gazivoda, veriu i Kosovës dhe Trepça nuk do t’i jepen Serbisë, kjo nuk është çështje e diskutimit” kishte deklaruar Thaçi në shtator të vitit 2018.

    Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se çdo kush që kundërshton një ide të tillë është i papjekur politikisht.

    “Çdo kush që kundërshton diskutimet rreth kufijve tregon papjekuri. Në Prishtina ata duhet të zhvillojnë bisedime strategjike. Një mundësi si kjo nuk do të vijë përsëri në 30 vitet e ardhshme. Shqiptarët duhet të diskutojnë këtë si burra të vërtetë”, kishte deklaruar Edi Rama në shtatorin e vitit 2018.

    Gjithashtu në këtë raport janë të përfshirë edhe deklratat e kundërshtarëve më të ashpër të idesë për korrigjim të kufijve, siç është kancelarja gjermane, Angela Merkel, ambasadori gjerman në Kombet të Bashkuara, Christoph Hesugen, kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, dhe ai i Bosnjës Denis Zivic,.

    Në fund të këtij raporti, ESI nxjerr përfundim se Bashkimi Evropian duhet t’u jap fund bisedimeve për ndryshime kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të mbyll përgjithmonë Kutinë e Pandores.

    “Përvoja e rritjes së thekshme të tensioneve në vitin e fundit çon te përfundimi se Bashkimi Evropian duhet të mbyllë Kutinë e Pandorës të bisedave të mëtejme për rivizatim të kufijve përgjatë vijave etnike”, thekson raporti.

    Ndërkohë të hënën që po vjen me 29 prill në Berlin do të mbahet një takim ndërmjet kancelares, Merkel dhe krerëve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas mediave ndërkombëtare aty do të varroset ideja për korrigjim të kufijve, pasi konsiderohet se mund të jetë burim destabilizimi në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe mund të nxisë reagime zingjirë të shteteve të cilat kanë apetite për territore

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!