Real Madridi do ta ketë një mundësi të shkëlqyer për të ushtruar edhe më shumë presion ndaj Barcelonës në krye të tabelës, teksa nesër do të përballet me Valencian.
Me dy skuadrat e para në renditje, Barcelonën dhe Real Madridin, që këtë fundjavë kanë përballë Atletico Madridin dhe Valencian, madrilenët do të kenë mundësinë të krijojnë një pozicion më të favorshëm në përfundim të kësaj jave të kampionatit.
Megjithatë, marrja e pikëve si mysafir në “Mestalla” kundër Valencias është gjithmonë një sfidë për shumicën e skuadrave në Evropë, e jo vetëm për ato spanjolle.
Por “Mestalla” ka qenë një terren mjaft i përshtatshëm për Jose Mourinhon gjatë karrierës së tij si trajner.
Në fakt, tekniku portugez është përballur me Valencian në “Mestalla” në pesë raste gjatë karrierës së tij.
Në këto pesë ndeshje, ai ka arritur katër fitore, ndërsa një tjetër takim ka përfunduar në barazim. Barazimi i vetëm erdhi në Kupën e Mbretit, gjatë periudhës së tij të parë te Real Madridi.
Sa u përket katër fitoreve, tri prej tyre u arritën gjithashtu gjatë periudhës së tij të parë në “Santiago Bernabeu”, ndërsa fitorja tjetër erdhi gjatë kohës kur drejtonte Chelsean, në Ligën e Kampionëve.
Ajo që bie veçanërisht në sy në statistikat e Mourinhos në “Mestalla” është dominimi që skuadrat e tij kanë treguar historikisht në fazën sulmuese.
Në këto pesë ndeshje, skuadrat e drejtuara nga Mourinho kanë shënuar plot 17 gola, pra më shumë se tre gola për ndeshje, ndërsa kanë pësuar vetëm shtatë.
Kjo është një statistikë mjaft e jashtëzakonshme, e cila mund të përputhet me formën e fundit sulmuese të Real Madridit. “Los Blancos” kanë shënuar të paktën tre gola në një ndeshje në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Kjo pavarësisht faktit se Real Madridi do të vazhdojë të jetë pa shërbimet e sulmuesit kryesor, Vinicius Junior, i cili po e vuan pezullimin prej katër ndeshjesh pas kartonit të kuq të marrë kundër Villarrealit muajin e kaluar.
Sa i përket Valencias, ajo po kalon një sezon shumë të dobët, me vetëm nëntë pikë të grumbulluara në 11 ndeshje dhe aktualisht ndodhet në zonën e rënies nga liga.
Prandaj, nuk do të ishte befasi nëse Real Madridi do të shënonte sërish tre gola nën drejtimin e Mourinhos në “Mestalla” këtë fundjavë.