×
  • Lajme
  • Lajme

    Fantazma për të cilën të gjithë flasin e pakkush e ka parë, plani franko-gjerman

    Reporteri
    07 Dhjetor 2022 | 15:01
    Fotografi ilustruese nga Reporteri.net

    Autor: Xhezair Dashi


    Prej se u paraqit në publik, njëherë “në gjendje të lëngshme” e për t’u ngurtësuar e ridraftuar, përmbajtja e “planit franko-gjerman” (ende) s’i është dhënë publikut.

    S’guxojmë ta bëjmë publike, tha sërish një ditë më parë kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, teksa pranoi se kanë pranuar një version “të përditësuar” të planit nga BE-ja.

    Mbase ky plan mund të përkufizohet sipas aforizmit për dashurinë të moralistitit francez Francois de La Rochefoucauld, se “ajo është si fantazmë, të gjithë flasin për të e pakkush e ka parë”.

    Dhe, po, “pakkush” e ka parë atë, ndërsa ne flasim për të.

    Një zyrtar i lartë evropian në kushte anonimiteti i tha portalit evropian Euractiv se “Pasi janë dëgjuar palët, kemi ridraftuar propozimin, (…) e kemi akorduar mirë”.

    Ka shumë gjëra që e bëjnë atë një hap të madh përpara në lidhje me situatën aktuale (…). Nuk është njohje e plotë (…) por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve”, shtoi zyrtari.

    Ndonëse foli për afat të qartë kalendarik dhe pret që marrëveshja të ketë “në më pak se një vit”, siç e citoi portali evropian zyrtarin, ai tha se kjo gjë varet nga vullneti politik i palëve.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha “nuk duhet dhënë afate artificiale” por shtoi se “drafti final” u është dorëzuar palëve.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili priti ndërmjetësin sllovak të ngarkuar me çështje të dialogut, Miroslav Lajçak, në njoftimin për media s’përmendi “draft të përditësuar” e as plan evropian apo franko-gjerman.

    Përmendi planin tjetër. Atë të tij. Kornizën e Përgjithshme për normalizim të marrëdhënieve, të cilin e pati e paraqitur më 18 gusht në Bruksel.

    Ky plan i tij, megjithatë, kërkon njohje të ndërsjellë. Plani franko-gjerman, në anën tjetër, s’kërkon njohje. Së paku jo në fazën aktuale.

    Por, Kurti insiston që marsi i vitit 2023 duhet të arrijë jo vetëm si stinë e pranverës. Por, si pranverë e lulëzueshme me marrëveshjen Kosovë-Serbi si punë të kryer.

    Kjo datë, sidoqoftë, s’është konfirmuar nga askush, dhe Kurti mbetet ‘zëdhënësi’ i vetëm i saj. Me një lule vështirë të çel pranvera.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një paraqitje në Pressing të T7, ngreu një shqetësim të thellë ndaj planit franko-gjerman.

    “Kështu siç është s’e besoj që ndokush do ta pranonte”, ka thënë Krasniqi, duke mos u thelluar më tej në pohimin e tij.

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në anën tjetër, pati dhënë një version shumë më të ndritshëm. Ai madje e quante plan amerikan, dhe me njohje brenda, derisa Kryekuvendari Glauk Konjufca thoshte ë se “s’ka njohje” por “është bazë e shëndosh” për negociata.

    Ajo çfarë është plasuar në publik për këtë plan, është se aty rregullohen marrëdhëniet ndërshtetërore simbas Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe e cila supozohet t’i ngjasojë modelit të Dy Gjermanive të 1972’ës.

    Madje jo vetëm në përmbajtje, por edhe në emër – si Marrëveshje Bazë. Kjo e pohuar edhe nga vetë Haradinaj, i cili bashkërisht me Ardian Gjinin, kanë parë planin franko-gjerman në takimin me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Kosova do të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare pa pengimin e Serbisë, dhe në këtë mënyrë të përfundonte konsolidimin e shtetësisë së saj ndërkombëtarisht, ndërsa Serbia fitonte përshpejtim të proceseve integruese të saj në BE.

    Megjithatë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se “vijë e kuqe” për Serbinë është anëtarësimi i saj në OKB, derisa ka thënë se “nuk mund të them se jam 100 përqind as kundër e as pro planit franko-gjerman”.

    Por, për një gjë që shprehet ai me siguri, është se nuk do të ketë njohje të Kosovës.

    Një gjë tjetër që ai e ka quajtur “të papërgjegjshme” është deklarimin e kryeministrit kosovar se marrëveshja duhet të kryhet deri në mars të 2023’ës.

    “Si të zgjidhim në 3 muaj kohë diçka që nuk kemi mundur ta zgjidhim as për mëse 100 vite”, tha ai dje në Tiranë.

    Një pikë tejet problematike mbetet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila nga pala kosovare propozohet të jetë brenda këtij plani.

    Pala serbe kërkon implementim paraprak, ngase konsiderojnë se është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit e vitit 2013 dhe 2015, dhe se “nuk mund të ketë marrëveshje të reja, pa u zbatuar të vjetrat”.

    “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe jo vetëm që duhet të bëhet, por edhe do të bëhet”, tha në Atlantic Council ditë më parë zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, i cili këtë të hëne vjen në Prishtinë për t’u takuar me Kryeministrin.

    “Të jini të sigurtë se pa u zgjidhur çështja e Asociacionit s’do të ketë marrëveshje të reja”, i tha televizioni serb “Insider” ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

    Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha një shpjegim për këto kërkesa në rritje.

    S’mund të nxjerret si e vetme e as si kryesore e as si parësore çështja e Asociacionit, tha ai, por shtoi se “do të ketë konsideratë edhe për të”.

    Megjithatë, fantazma e shumëpëfolur, është thënë të bëhet se do të bëhet publike nga vetë Gabriel Escobar.

    “Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!