×
  • Lajme
  • Lajme

    Fillon të dëgjohet dëshmitari i 10-të në gjykimin ndaj Salih Mustafës

    Reporteri
    13 Dhjetor 2021 | 13:09

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ku po dëgjohet dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

    Pyetjet e ZPS-së për dëshmitarin e mbrojtur kanë filluar me seancë të mbyllur me kërkesë të prokurores Silvia D’Ascoli.

    Dëshmitari i dhjetë, i cili mban kodin W04674 po dëgjohet nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i së cilit nuk bëhet i ditur për publikun.

    Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre nëntë dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur.

    Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

    Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

    Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!