Ka nisur seanca në Gjykatën Speciale për rastin e dytë ku akuzohet ish-presidenti Hashim Thaçi për ndërhyrje në drejtësi.
Në sallën e gjyqit ndodhet vetëm ish-presidenti Thaçi, derisa Hajredin Kuçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë të kyçur përmes video-lidhjeve.
Në seancë do të jepen deklarimet përmbyllëse. Prokuroria Speciale do të flasë e para, pastaj mbrojtja e Hashim Thaçit dhe me radhë.

Caktimi i deklaratave përmbyllëse shënon përfundimin e paraqitjes së argumenteve të palëve në këtë proces gjyqësor, para se gjykatësi të marrë vendimin për rastin.
Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së prokurorit të specializuar.
Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.