×
  • Lajme
  • Lajme

    Flet kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj: Kështu ndodhi vrasja e policit në Zllatar të Prishtinës

    Reporteri
    28 Shkurt 2022 | 11:51

    Autor: Blendi Gashi


    Nëntë ditë më parë ndodhi një rast i rëndë në një lokal në Zllatar të Prishtinës, ku në një ndejë të organizuar nga 15 zyrtarë policorë, njëri prej tyre mbeti i vrarë.

    Të dyshuarit për vrasje, edhe ky polic, ju caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, kurse pesë policëve të tjerë të arrestuar u është caktuar masa e sigurisë e arrestit shtëpiak.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka zhvilluar një intervistë me kryeshefin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, i cili tregon në detaje si ka ndodhur rasti, çfarë kanë gjetur në vendin e ngjarjes dhe për masat e ndërmarra deri tani.

    Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me drejtorin e IPK-së, Kushtrim Hodaj, dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”:

    Ditë më parë ndodhi një rast i rëndë ku në një ndejë u vra një polic i Kosovës. Cilat janë më të rejat për këtë rast?

    Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se lidhur me rastin nga IPK janë arrestuar 6 zyrtarë policorë (një i dyshuar për vrasje kurse pesë të tjerë të dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”). Bazuar në kërkesën e Prokurorisë të dyshuarit për vrasje i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata kurse pesë të arrestuarve të tjerë u është caktuar masa e sigurisë e arrestit shtëpiak.

    Bazuar në rekomandimet e IPK-së janë suspenduar 15 zyrtarët policorë (6 të arrestuarit dhe 9 të tjerë që kanë qenë prezent në ndejën private ndaj te cilëve IPK ka filluar hetim penal me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penal ‘mos lajmërim i veprës penale ‘).
    Hetuesit e IPK-së në vendin e ngjarjes kanë sekuestruar 14 armë (revole zyrtare), 15 karikatorë me fishekë dhe disa gëzhoja që dyshohet të jenë të kalibrit 9 mm.

    Që të gjitha këto pritet që në konsultim me prokurorinë të përcillen për ekzaminim balistik dhe ekzaminime të tjera në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

    Në këtë fazë të hetimit IPK nuk mund të shpalosë më shumë detaje për shkak të integritetit të procesit hetimor, për detaje të tjera ju lutem i referoheni Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Bazuar në hetimet e deritanishme, si dyshohet se ka ndodhur rasti?

    Më 19.02.2022 pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion përmes “Linjës së kaltër” nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës ku ishte plagosur një person.

    Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar.

    Personi i plagosur në këtë rast (zyrtar policor) ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe pavarësisht përpjekje të mjekëve i njëjti fatkeqësisht ka vdekur si pasojë e lëndimeve.

    Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare.

    Cila është e shkuara e polici që dyshohet se ka kryer vrasjen? A ka ndonjë suspendim apo diç të tillë më parë nga IPK?

    Në këtë fazë të hetimit nuk mund të shpalosen këto detaje.

    A keni pasur takim me drejtorin e Policisë së Kosovës për këtë rast, nëse po çfarë ju ka thënë ai?

    IPK ka kontakte të vazhdueshme si me Drejtorin e Përgjithshëm ashtu edhe me grada dhe pozita të tjera dhe në vazhdimësi ka angazhime të përbashkëta për fuqizimin e integritetit policor.

    Çfarë hapa do të ndërmerrni si IPK që të mos ndodhin më raste të tilla?

    IPK do të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve preventive e kur plotësohen kushtet ligjore edhe represive me qëllim të fuqizimit të integritetit policor dhe rritjes së besueshmërisë së qytetarëve në Policinë e Kosovës.

    Dhe një pyetje që po shtrohet shumë në opinion është nëse policët duhet të kenë armët me vete pas orarit të punës. Rregullorja e lejon një gjë të tillë, por a duhet të bëhet diç edhe në këtë drejtim?

    Kjo çështje është e rregulluar me aktet nënligjore të Policisë së Kosovës dhe bazuar në këtë pyetja duhet t’i adresohet Policisë së Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!