Forca të shtuara të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës janë parë mbrëmë në Skenderaj pas incidentit në të cilin janë përfshirë kryetari i komunës, Sami Lushtaku, dhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani.

Në videot e  publikuara  u panë njësitet elite të Policisë duke patrulluar në qytet. Aty u mblodhën edhe qytetarë, të cilët kërkuan largimin e tyre.

Në disa pamje, qytetarët u panë duke u ofruar ujë policëve të Njësisë Speciale.

Reklamë

Incidenti ka ndodhur pas një përplasjeje mes Lushtakut dhe Mehanit, ku situata ka eskaluar në dhunë fizike.

Nga Lëvizja Vetëvendosje është bërë e ditur se Hysni Mehani fillimisht është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me një gotë në kokë, pas së cilës ka kërkuar ndihmë mjekësore. Motivet e përplasjes ende nuk janë bërë të ditura.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk është paraqitur për intervistim.