×
  • Lajme
  • Lajme / Vizita e Blinkenit në Tiranë

    Fox News: Putini dhe Vuçiqi kanë në shenjë Kosovën për konflikt, SHBA-ja e di këtë

    Reporteri
    15 Shkurt 2024 | 17:05

    Në një raportim për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Shqipëri, televizioni amerikan “Fox News” ka raportuar për konflikte të mundshme në Kosovë, Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Televizioni i njohur amerikan me burime të veta, shkruan se presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Alexandar Vuçiq kanë marrë në shenjë Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

    Një diplomat i lartë që është i informuar me ngjarjet në rajon i ka thënë “Fox News Digital” se burimet e besueshme pretendojnë se mundësia e konfliktit në Ballkanin Perëndimor sivjet është shumë e lartë. SHBA-ja e di këtë, pretendon diplomati, i cili sqaron se përse ka grumbullime të aseteve ushtarake dhe shitje të pajisjeve ushtarake për Kosovën.

    “Po rritet rreziku që tensionet etnike të shndërrohen në konflikt të vërtetë në Ballkan. Rusia dhe Serbia, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duket se janë të përfshira në nxitjen e destabilitetit në rajon”, ka thënë Rebekah Koffler, ish-analiste e inteligjencës së mbrojtjes.

    “Ka qenë periudhë e vështirë për Ballkanin Perëndimor, dhe shumë analistë besojnë se rajoni përsëri është kuti qibriti gati të ndizet”, vlerëson “Fox News”.

    Sekretari amerikan i Shtetit është takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Në këtë takim është rikonfirmuar fuqia e marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë, e cila cilësohet partnere për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    “Fox News” shkruan se SHBA-ja mund ta ndihmojë Shqipërinë dhe aleatët tjerë në rajon që të ndalojnë ndikimin rus dhe keqinformimin. Sipas “Fox News”, Rusia ka qenë shumë aktive në Mal të Zi. Në këtë shtet Moska ka bërë përpjekje që të minojë përpjekjet për anëtarësim në NATO dhe afrim me Evropën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!