Partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të, shkruan Reporteri.net.
Ky subjekt politik përmes një njofitmi thotë se këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.
Kryeministri Kurti sot para mediave ka deklaruar se me ftesën e bërë për PDK e LDK kanë bërë edhe një hap më shumë.
“Jemi të vetmit që kemi ndërmarrë hapa deri tani. Të gjitha takimet me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së i kemi iniciuar ne; asnjë takim nuk e kanë thirrur ata. Sido që të jetë, kam pasur edhe refuzime për takime dhe oferta. Tani, hapi i ri që kemi ndërmarrë duhet të konkretizohet deri nesër në mbrëmje, pasi afatet janë të tilla. Propozimi ynë është që LDK-ja dhe PDK-ja, si dy parti më të vjetra se VV-ja, të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, figura me reputacion për integritet qytetar dhe kombëtar, si dhe me kontribut profesional në shoqëri. Për këta tre emra mund t’u sigurojmë mbi 90 nënshkrime”, deklaroi Kurti.
Por çfarë deklaruan nga PDK, LDK e AAK pas ftesës që ia bëri VV?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të propozojë emra për president, pas ofertës së Vetëvendosjes që PDK-ja dhe LDK-ja të nxjerrin tre emra për kandidatë për president.
Propozimin e ri të VV-së, ai e ka quajtur manovër të kryeministrit Albin Kurti.
Hamza ka thënë se çështja e presidentit për PDK-në është “e mbyllur”.
Propozimin e ri e ka cilësuar aspak serioz.
“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga VV-ja e s’ka as tash”, ka thënë ai në holl të Kuvendit para seancës së jashtëzakonshme.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar deputeti i saj Besian Mustafa, njëherit zëdhënës i partisë.
“Unë i ftoj LVV-në dhe PDK-në që së bashku të propozojnë 3 emra për President, kandidatë jashtë skenës aktuale politike. Së bashku do ta zgjidhnin Presidentin me lehtësi me 88 vota (LVV 66 + PDK 22). Për shkak të afateve kushtetuese, i pres deri nesër në mesnatë”, ka shkruar Mustafa.
Kurse, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti këtë kërkesë është dashur ta bëjë mëherët, andaj edhe siç theksoi ai, kjo është vetëm strategji e shefit të qeverisë.
“Është e kuptueshme që strategjia e Kurtit do të vazhdojë me këto veprime. Një kryetar qeverie që do ta kishte në interes ta zgjedh presidentin, këtë që e tha sot do të duhej ta thonte më parë. Askush nuk e di se këto që i thotë a i zbaton. Ky tani është një lloj ultimatumi i tij, pjesë e strategjisë së tij për ta dërguar vendin në zgjedhje. Nuk është në rregull si po sillet kështu. Ne si Aleancë nuk kemi pasur vullnet të bëhemi pjesë e kësaj loje”, ka deklaruar Haradinaj. /Reporteri.net/.