×
  • Lajme
  • Lajme

    Ganimete Musliu: Skandali i ambasadorit Berishaj dëm serioz për Kosovën, kauzat e rrejshme të Kurtit po e humbin shkëlqimin

    Reporteri
    24 Prill 2022 | 21:36

    Autor: Blendi Gashi


    Si një nga opozitaret më të zëshme, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, adreson kritika në drejtim të Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti. Thotë se Kurti dhe qeveria e tij ka demaskuar vetveten, dhe çdo ditë po e rrezikon kredibilitetin e institucioneve.

    Musliu në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, flet edhe për rastin e ambasadorit Martin Berishaj, ku thotë se është dashur të largohej, pasi çdo ditë që kalon dhe Berishaj nuk e liron pozitën e Ambasadorit është dëm serioz për shtetin tonë.

    Ajo shton më tej se VV-ja është në krizë sivjet, sepse nuk ju ka mbetur farefis për dasma, dhe se “ata që bërtisnin ‘çkapje’ po e ngufatin fare shtetin dhe ata që bërtisnin ‘hajnat në burg’ janë duke kooperuar me krimin”.

    Deputetja e PDK-së thotë se përkrahja ndaj partisë së saj po rritet çdo ditë, përderisa sipas saj kauzat e rrejshme të Albinit po e humbin shkëlqimin

    Ajo në këtë intervistë flet edhe për pengimin e Komisionit Hetimor për energjinë nga Vetëvendosje, për kërcënimin që mori ditë më parë me ‘prerje koke’, dhe tema të tjera

    Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net: 

    Si i keni parë raportimet e fundit për ambasadorin Martin Berishaj si i dyshuar për përfshirje në një skandal financiar në Slloveni?

    Nuk parapëlqej të paragjykoj njerëzit. Nisur nga ky këndvështrim nuk dua të marr guximin të deklaroj nëse Ambasadori është apo nuk është fajtor. Mirëpo kjo nuk do të thotë që z. Berishaj duhet të vazhdoi të ushtroi detyrën e Ambasadorit. Pra z. Berisha është dashur të largohet menjëherë nga pozita e Ambasadorit qoftë përmes dorëheqjes qoftë përmes shkarkimit. Çdo ditë që kalon dhe z. Berishaj nuk e liron pozitën e Ambasadorit nënkupton dëm serioz për shërbimin tonë të jashtëm. Kjo është njëra anë e problemit, kurse ana tjetër janë deklaratat e Vjosës, Albinit dhe Donikës. Paraqitja e tyre është skandal për të cilin ata duhet të thirrën në përgjegjësi.

    Pushteti po e kundërshton formimin e Komisionit Hetimor për energjinë. Çfarë hapa do të ndërmerrni si opozitë nëse mazhoranca nuk tërhiqet?

    Komisioni hetimor duhet të krijohet patjetër. Pengimi i krijimit të këtij komisioni nga VV nënkupton ndërhyrje në kompetencën e Kuvendit dhe në praktikat demokratike. Këmbëngulja e tyre për mos krijimin e komisionit hetimor e bënë edhe më të dyshimtë veprimtarinë e tyre. Ngjarjet e fundit me Ambasadorin Berishaj e kanë treguar edhe njëherë domosdoshmërinë e një hetimi parlamentar. Albin Kurti nuk mund të fshihet mbrapa pengesave sepse opozita nuk do të heshtë. Opozita do të shfrytëzoi të drejtën e saj për të bojkotuar çdo votim në kuvend.

    Ditë më parë ju deklaruat se jeni kërcënuar me ‘prerje koke’ pas deklaratës për Fondin e Sigurisë. Si u kërcënuat konkretisht, në çfarë forme, dhe a ka marrë ndonjë veprim policia ndaj kërcënuesve?

    Mjaftoni t’i lexoni komentet e personave, pjesërisht me profile falco, nëpër publikimet e portaleve dhe do të shihni se çfarë mentaliteti agresiv është krijuar në këtë vend.  Nuk dua të viktimizohem, por lutem që ky mentalitet të zbutet sepse është bërë e pamundur që vajzat dhe gratë të angazhohen në politikë apo në jetën publike. Sa herë jam ofenduar apo kërcënuar, unë më shumë kam ndjerë keqardhje për gjininë femërore që jetojnë me ata persona se sa për etiketimet ndaj personit tim. Kam një përkrahje të jashtëzakonshme nga simpatizantë të PDK-së dhe qytetarë të profesioneve të ndryshme për çka dua t´i falënderoj përzemërsisht. Sa i përket atyre ‘burrecëve’ që ofendojnë apo kërcënojnë gratë dhe vajzat kam vetëm një gjë për ta thënë: Askush dhe asgjë nuk do të më ndalë të shpreh mendimin tim dhe qëndrimin tim për çështjet e përgjithshme.

    Pse keni dalë kundër krijimit të Fondit të Sigurisë, dhe a jeni në përgjithësi kundër krijimit të fondeve të ndryshme? Mundësia e keqpërdorimeve është frika juaj?

    Sepse Kosova është shtet dhe jo OJQ. Sepse ushtria bëhët dhe forcohet me ligj e jo me kërkimlëmoshë. Sepse fondet e tilla janë të predestinuara për keqpërdorime. Sepse mjaftë është dëmtuar buxheti personal i qytetarëve tone. As unë, as strukturat e PDK-së dhe as votuesit e PDK-së nuk janë kundër një ushtrie me standarde të NATO-s, me ligj dhe me krenari. Tendencat për të na degjeneruar qëndrimet, për fat të mirë nuk patën sukses. Populli e ka kuptuar shumë drejtë qëllimin tonë dhe për këtë përkrahja ndaj nesh po rritet për çdo ditë, përderisa kauzat e rrejshme të Albinit po e humbin shkëlqimin e dikurshëm, dhe kjo është arsyeja përse ata reaguan me aq agresivitet dhe demagogji. Paramendojeni vetëm një gjë: si jemi duke u dukur si shtet në sytë e partnerëve tanë strategjik?

    Si e vlerësoni qeverisjen më shumë se 1-vjeçare të Kurtit? Cilat janë të metat që keni identifikuar si opozitë, po ndonjë sukses ka?

    Kjo qeveri, për një vit qeverisje, ka arritur vetëm një sukses të vetëm: demaskimin e vetvetes. Shpërfaqjen e një Kryeministri i cili në vend që të merret me problemet e qytetarëve dhe me të ardhmen e shtetit tonë, del dhe mundohet t´i jep mend botës. Përndryshe në çdo drejtim ka vetëm dështime. Përtej dështimeve ata për çdo ditë po e rrezikojnë kredibilitetin e institucioneve tona.

    Kanë thyer çdo premtim ndaj qytetarëve dhe kanë instaluar një klimë përndjekëse politike e cila është bërë e padurueshme. Duhet ta keni parasysh që VV-ja është në krizë sivjet, sepse nuk ju ka mbetur farefis për dasma. As vet nuk e kishin ditur që gjithë faresfisi i tyre kishin qenë ekspertë ekselentë. Ata që bërtisnin “çkapje” ata po e ngufatin fare shtetin. Ata që bërtisnin “hajnat në burg” janë duke kooperuar me krimin. Ata që bërtisnin “po ikë rinia” sot nuk interesohet fare për dhjetëra mijëra kandidatë për viza.

    Pra, Albin Kurtit i ka dalë fytyra e vërtetë në shesh.

    A jeni të gatshëm si parti për zgjedhje të reja? Nëse po, ç’rezultat mendoni se do të arrinit?

    PDK është e gatshme çdoherë sepse para qytetarëve mund të del ballëlartë. Sa i përket rezultatit PDK e meriton të kthehet në krye të shtetit sepse të tjerët e kanë dëshmuar se nuk ja dalin. Jam e bindur që edhe shumica e qytetarëve e kanë kuptuar këtë. Përderisa partitë e tjera kanë fjalë, ne kemi punë. Rezultatet e qeverisjes së PDK-së, të gjitha partitë tjera bashkë vetëm mund t´i ëndërrojnë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!