Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë thirrje për kompromis politik për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke thënë se kreu i shtetit duhet të jetë përfaqësues i Republikës dhe garantues i Kushtetutës, e jo shpërblim politik.

Gashi ka thënë se presidenti duhet të ruajë aleancat e Kosovës, të balancojë pushtetet, të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të jetë Komandant i Përgjithshëm.

“Prandaj, Presidenca nuk mund të jetë shpërblim politik, aq më pak për vendime që kanë cenuar këto shtylla të demokracisë”, ka shkruar Gashi.

Reklamë

Sipas tij, përgjegjësia më e madhe për gjetjen e një zgjidhjeje i takon fituesit të zgjedhjeve.

“Fituesi i zgjedhjeve ka përgjegjësinë më të madhe për ta gjetur zgjidhjen, jo për ta mbajtur vendin peng”, ka deklaruar ai.

Gashi u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen dhe të gjejnë një kandidat për president që, sipas tij, i përfaqëson vlerat shtetërore dhe qëndron mbi interesat partiake.

“Të gjitha partitë duhet të ulen dhe të gjejnë një President që i përfaqëson këto vlera dhe qëndron mbi interesat partiake”, ka thënë ai.

Në fund, deputeti i LDK-së ka theksuar se Kosovës i nevojitet kompromis politik për interesin e shtetit.

Reklamë

“Kosovës i duhet kompromis shtetëror, jo nënshtrim politik”, ka përfunduar Gashi.

Gashi, së bashku me pesë deputetë të tjerë të LDK-së, kishte kundërshtuar marrëveshjen e VV-së dhe LDK-së për zgjedhjen e Bekim Sejdiut në postin e presidentit.