×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Gastronomët nën vëzhgim, të pakënaqur edhe me lehtësim të masave

    Reporteri
    19 Prill 2021 | 17:32

    Pas dymbëdhjetë ditësh sot është rihap gastronomia në Kosovë.


    Ani pse me masa kufizuese dhe rishqyrtim të masave pas dy javësh, shoqata e gastronomëve dhe pronarët e kafiterive pranojnë që gjatë kësaj kohe të jenë “kurban” të situatës pandemike, në mënyrë që më pas masat hiqen edhe masat kufizuese. Por gjatë kësaj kohe ata do të jenë nënvëzhgim se sa po respektohen masat antoiCOVID-19

    Ndryshe prej vendimit për mbyllje 12 ditore, këtë herë gastronomët thonë se kishin një bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë në krye të secilës është Arben Vitia.

    Në të mirën e shëndetit të të gjithëve, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi thotë se masat do të respektohen. Ai pranoi që situata nuk ishte nënkontroll që nga fushata zgjedhore dhe se në atë kohë seç u harrua se virusi është ende prezentë.

    “Dua ta falënderoj ministrin Vitia për bashkëpunim, këtë herë ka shkuar më ndryshe sepse para dy javëve kur kemi biseduar nuk ka qenë konsultë por ka qenë një informim dhe ne kemi dalë në kundërshtim të masave sepse nuk janë marrë parasysh idetë tona. Këtë herë ka qenë krejtësisht ndryshe, dhe bashkërisht i vendosëm këto masa. Fillimisht ne dimë që nuk ka qenë asgjë nën kontroll dhe kjo erdhi si pasojë e fushatave politike ku të gjithëve i’u iki prej mendje se ekziston virusi. Por virusi është prezentë plus tani kemi variantin britanik”, tha Kllokoqi.

    Kllokoqi pranon se masat kufizues do të jenë pengesë për bizneset e gastronomisë por megjithëkëtë ai thotë se synimi i tyre është që këtë vit vetëm të mbijetohet por jo edhe të ketë fitim.

    “Kuptohet që duhet me i respektu më shumë masat dhe kjo ka me pengu goxha shumë punë tonë në gastronomi por njëkohësisht duhet të bëhet një zgjidhje për mos përhapje të virusit dhe thjesht të mbijetojmë këtë vit e jo të fitojmë. Është dashtë me vendos masa që janë ekzistuese diku në botë ose masa që janë të pranuara nga OBSH. Nuk kemi mujt me vendos një masë të re. Psh OBSH e ka paraparë që më së shumti duhet të jenë 4 persona në tavolinë dhe kuptohet që kërkesa jonë ishte që të ishin 5 apo 6 por kuptohet që kjo nuk ishte e realizueshme. Njëkohësisht OBSH ka paraparë që në 10 metra katrorë të jenë 4 persona apo në 100 metra katrorë të jenë 40 persona. Ishin ideja që duhet të kishim bazë, ato kanë me pengu qarkullimin tonë por thjesht dy javë ditë që të jemi kurban të situatës që të mund ta kthejmë verën në Kosovë”, është shprehur Kllokoqi.

    Agon Vula, menaxheri i kafiterisë “Bon Vivant” në kryeqytet tha se me apo pa dëshirë masat duhet të respektohen meqë ato janë në të mirën e të gjithëve.

    “Deshëm apo nuk deshëm ne duhet t’i përkrahim dhe t’i respektojmë masat që janë vendosur sepse janë për të mirën e të gjithëve. Derisa kemi pas qef me u hap lokalet sa më shpejt, pasi patëm edhe mbylljen 12 ditë, duhet të respektohen masat[…] Gjithçka është në dëm tonin. Ne kemi me u mundu me iu përmbajt sa më shumë rregullave të vendosura”, tha Vula.

    Kërkesa e për ministrin Vitia ishte që t’iu lejohet që të punojnë. “Veç me na lënë me punu”, tha shkurt Vula.

    Ndërkohë që qeveria e ka lënë në fuqi masën për kufizimin e lëvizjes. Ora policore do të jetë nga ora 22:30 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

    Më poshtë sjellim disa nga masat e Qeverisë që kanë të bëjnë me gastronominë:

    Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Lejohen deri në 40 klient për 100m2 (4 persona për 10 m2). Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

    Ambienti duhet të konfigurohet në mënyrë që klientët e ulur në tavolina të ndryshme të ndahen duke u përmbushur distanca prej të paktën 1 metri në mes karrigeve/ulëseve.

    Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në çdo ambient të operatorit ekonomik në të cilin lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve përveç:

    26.1. Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i operatorit ekonomik;

    26.2. Ndërsa paguan porosinë;

    26.3. Gjatë shkuarjes ose kthimit nga tualeti;

    26.4. Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

    Nëse një zonë në ambient të jashtëm ku shërbehet ushqimi dhe pijet, është e mbuluar nga një çati, tendë, ose element tjetër statik, të paktën dy anët e plota të të gjithë zonës duhet të jenë të hapura për jashtë dhe nuk duhet të bllokohen në mënyrë të konsiderueshme nga asnjë mur ose pengesa të tjera fizike të padepërtueshme.

    Nëse zona në ambient të jashtëm ku shërbehet ushqimi dhe pijet është e pajisur me një çati të lëvizshme dhe çatia tërhiqet, çatia dhe të paktën njëra anë e plotë e zonës së ngrënies në natyrë duhet të qëndrojë e hapur.

    Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

    Në hotele, pas orës 22:30, shërbimi i pijeve dhe ushqimeve lejohet edhe në zonën e përcaktuar për ngrënie dhe pije, vetëm për mysafirët e këtyre subjekteve, të cilët verifikohen përmes listës që tregon personat që qëndrojnë për fjetje dhe që ofrohet nga subjekti përkatës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!