Gjithsej 2,708 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në Kosovë në 24 orët e fundit. Sipas MSH-së në 24 orët e fundit janë testuar 10.883 qytetarë, shkruan Reporteri.net.

MSH-ja njofton se në 24 orët e fundit është regjistruar një rast i vdekjes nga koronavirusi.

Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (ISHKPK), 25 për qind e rasteve të testuar kanë rezultuar pozitiv.

Reklamë

Një ditë më parë, më 19 janar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 2,050 raste të infektimit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë dhënë gjithsej 4,731 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Aktualisht në Kosovë me COVID-19 janë 9,771 raste.

Gjatë së enjtes, më 20 janar, 2022, kryeministri i Kosovës, ka kërkuar përditësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë – ku ka marrë pjesë kryeministri – është thënë se pothuajse të gjitha rastet e infektimit janë me variantin Omicron të koronavirusit.

Reklamë

Kurti ka kërkuar që masat e reja të kenë qëllim ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit.

Sipas masave aktuale, të miratuara më 23 tetor të vitit të kaluar, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga mesnata deri në orën 05:00.

Bizneset e gastronomisë punojnë deri në orën 23:00, derisa muzika ndalet në orën 21:30.

Masat e reja pritet të prekin orarin e këtyre bizneseve.

Reklamë